Pesëmbëdhjetë persona në Korenë e Jugut u plagosën, dy prej tyre rëndë, pasi dy avionë luftarakë gabimisht hodhën tetë bomba në një zonë civile gjatë një stërvitjeje ushtarake me municion të vërtetë.
Incidenti ndodhi në qytetin Pocheon, pranë kufirit me Korenë e Veriut. Forcat Ajrore të Koresë së Jugut kërkuan falje dhe premtuan kompensim për të prekurit. Dy persona pësuan fraktura në qafë dhe shpatulla, ndërsa një 60-vjeçar u plagos nga copëzat e bombës.
Gabimi ndodhi për shkak të koordinatave të gabuara të futura nga piloti i njërit avion. Ende nuk është sqaruar pse avioni tjetër hodhi bombat. Stërvitjet me municion të vërtetë janë pezulluar, raporton BBC.
Disa shtëpi dhe një kishë u dëmtuan. Autoritetet evakuuan banorët, por nuk u gjetën bomba të pashpërthyera. Incidenti ndodhi gjatë një stërvitjeje të përbashkët me SHBA, në kuadër të manovrave ushtarake të planifikuara për 10-20 mars, përcjell KosovaPress.