Përpjekjet e Serbisë për ta portretizuar Kosovën si vatër të ekstremizmit islamik

Përpjekjet e Serbisë për ta portretizuar Kosovën si vatër të ekstremizmit islamik

Që nga protestat studentore të vitit 1968, Serbia ka ndërtuar dhe promovuar një narrativë të rreme, duke e paraqitur Kosovën si një vatër të ekstremizmit islamik. Kjo fushatë propagandistike e manifestuar në forma të ndryshme është përdorur për të delegjitimuar përpjekjet e Kosovës për vetëvendosje dhe për të krijuar një imazh negativ në arenën ndërkombëtare.

Instituti të Kosovës për Siguri dhe Riziliencë – Prevent ka prezantuar raportin “Mes frikës dhe propagandës – Ekstremizmi religjioz në Kosovë”, analizon dhe kundërshton pretendimet e Serbisë për të portretizuar Kosovën si vend vatër e ekstremizmit islamik.

“Një nga strategjitë kryesore të propagandës serbe ka qenë përpjekja për të etiketuar UÇK-në dhe ushtarët e saj si ekstremistë islamikë. Megjithatë, kjo narrativë ka qenë vazhdimisht e kundërshtuar nga studiues të njohur ndërkombëtarisht. Në librin e tij Kosovo: War and Revenge, historiani Tim Judah e përshkruan UÇK-në si një lëvizje që lindi si përgjigje ndaj shtypjes serbe dhe mungesës së një zgjidhjeje politike për shqiptarët. Po ashtu, historiani britanik Sir Noel Malcolm ka argumentuar në veprat e tij se pretendimet serbe për lidhjet islamike të UÇK-së janë të pabazuara dhe se lufta e saj ishte e motivuar nga aspiratat nacionaliste për çlirim dhe jo nga agjenda fetare. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe më pas me përfshirjen e disa qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në konfliktet e Lindjes së Mesme, propaganda serbe kundër Kosovës ka marrë një dimension të ri. Duke shfrytëzuar këto zhvillime, zyrtarët serbë kanë intensifikuar narrativën e rreme për ta paraqitur Kosovën si një vatër të radikalizmit islamik. Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në disa raste se “Kosova është qendra e radikalizmit islamik në Ballkan” dhe se “ekstremistët nga Kosova rrezikojnë sigurinë e rajonit dhe Evropës”. Ivica Daçiq, ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, në një fjalim në OKB në vitin 2018 ka pretenduar se “Kosova është bërë një bazë për rekrutimin e terroristëve islamikë”. Boris Tadiq, ish-president i Serbisë, në vitin 2010 ka deklaruar se “Evropa duhet të jetë e kujdesshme ndaj asaj që po ndodh në Kosovë, sepse ka tendenca të rrezikshme të radikalizmit”, thuhet në komunikatë.


Sipas institutit, këto pretendime të pabazuara janë pjesë e një fushate të gjatë dezinformimi, e cila ka për qëllim dëmtimin e imazhit të Kosovës dhe pengimin e saj në rrugën e integrimit ndërkombëtar.

“Përkundër kësaj propagande, Kosova mbetet një vend me stabilitet të qëndrueshëm dhe angazhim të fuqishëm në luftën kundër çdo forme të ekstremizmit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Gjithashtu, Kosova është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian dhe Koalicioni Global Kundër Terrorizmit për angazhimin e saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Si një partner i besueshëm në përpjekjet globale kundër ISIS-it, Kosova ka kontribuar aktivisht në ndalimin e rrjeteve ekstremiste dhe në riintegrimin e qytetarëve të kthyer nga zonat e konfliktit. Pavarësisht këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të qarta, Serbia vazhdon të shpërndajë narrativa të pabazuara që e lidhin Kosovën me terrorizmin, me synimin për të dëmtuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare. Kjo strategji dezinformimi është mbështetur edhe nga Rusia dhe është intensifikuar pas ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Në atë kohë, Serbia dhe Rusia tentuan të legjitimonin dhunën serbe në Kosovë duke e krahasuar atë me luftën në Çeçeni dhe duke pretenduar se mbështetja e Perëndimit ndaj Kosovës do të krijonte një “strehë të sigurt për terroristët islamikë”. Pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, Serbia u përpoq të riformulonte luftën e saj kundër shqiptarëve si pjesë e “Luftës Globale kundër Terrorizmit”. Përmes manipulimit të diskursit amerikan mbi terrorizmin, Serbia synoi të justifikonte spastrimin etnik dhe dhunën e saj në Kosovë dhe Bosnje. Hulumtuesit Karmen Erjavec dhe Zala Volqiq kanë analizuar këtë strategji, duke treguar se Serbia kërkoi ta lidhte në mënyrë artificiale fushatën e saj ushtarake me përpjekjet globale kundër terrorizmit për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar mbi veprimet e saj”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë theksohet se së fundmi, Serbia ka shfrytëzuar rritjen e ndjenjave islamofobe në Evropë për të paraqitur Kosovën si një kërcënim ndaj vlerave kristiane.

“Në këtë kuadër, ajo ka krijuar aleanca me partitë e djathta ekstreme evropiane, të cilat kundërshtojnë njohjen dhe integrimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Megjithatë, përkundër kësaj propagande të vazhdueshme, Kosova ka ruajtur mbështetjen e fuqishme të aleatëve të saj perëndimorë dhe ka vazhduar të forcojë pozicionin e saj si një shtet i përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Në realitet, Kosova ka qenë një nga vendet më aktive në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, duke miratuar Ligj që ndalon përfshirjen e qytetarëve të saj në konflikte të huaja dhe krijoi Strategjinë Kombëtare kundër Terrorizmit dhe Strategjinë Kombëtare kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Sot ekziston një rrezik tjetër, që shtyhet përpara nëpërmes dezinformimit nëpërmjet mjeteve të informimit të ndikuara nga aparati shtetëror serb, përball të cilit rrezik Kosova duhet të forcojë mekanizmat e saj mbrojtës kundër dezinformimit”, thuhet në komunikatë.

Lexo edhe

Video