Ka përfunduar të mërkurën në mbrëmje procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Ju njoftoj se në orën 21:00 është përmbyllur procesi i numërimit të më shumë se 15 mijë e 500 fletëvotimeve nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta, të cilat njëkohësisht janë fletëvotimet e fundit që numërohen dhe që i takojnë procesit zgjedhor të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025”, tha zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, raporton KosovaPress.
Ai tha KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
“Sipas nenit 105 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ është e obliguar që të presë të paktën 48 orë para se të shpall rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ky nen, parasheh mundësinë që në PZAP, në një afat brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar, të paraqiten ankesat për administrimin e numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Elezi.
Ai shtoi se sot është dita e fundit kur në QNR ka pasur administrim të numërimit të fletëvotimeve, andaj siç tha ai, edhe ky afat llogaritet nga dita e sotme, 5 mars 2025, ora 21:00.
Ndërsa foli edhe për rastin në Vushtrri duke thënë se në përgjigje kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte, KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e lartpërmendur, raporton KosovaPress.
“Në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, gjatë ditës së enjte KQZ do të bëjë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë një subjekti politik në komunën e Vushtrrisë. Më shumë detaje për këtë çështje, mund t’iu japin në Prokurorinë e Shtetit. Gjatë kohës sa KQZ duhet të presë kalimin e afatit për ankesë në PZAP, do të bëhet rinumërimi i kërkuar i këtyre fletëvotimeve”, nënvizoi Elezi.
Ai theksoi se në rast se palët janë të pakënaqura me vendimin e panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa çështja mund të shkojë në Gjykatën Supreme.
“Në rast se palët janë të pakënaqura me vendimin e panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa çështja mund të shkojë në Gjykatën Supreme. KQZ duhet të presë vendimmarrjen e këtyre institucioneve, të zbatojë vendimet eventuale qe dalin pas procesit ankimor dhe pasi të përfundojë këto çështje, KQZ mund të procedojë me certifikimin e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht ta përmbyllë procesin zgjedhor”, përfundoi Elezi, raporton KosovaPress.
https://kosovapress.com/keto-jane-rezultatet-nga-numerimi-i-78-57-per-qind-e-votave-me-kusht