Pas shtatë ditësh grevë, shoferët e trafikut ndër urban Podujevë- Prishtinë larguan të mërkurën autobusët nga rruga para objektit të komunës së Prishtinës. Kjo pasi që të njëjtit, kanë arritur një marrëveshje me Komunën e Prishtinës.
Shoferët e shoqatës së transportit Llapi, kanë mbajtur grevë për shtatë ditë, si kundërshtim për vendimin e Komunës së Prishtinës që ndalon futjen e autobusëve ndërurbanë brenda qytetit.
Por, nga marrëveshja që kanë arritur me komunën, tashmë kjo linjë do të kalojë nga rruga “Zagrebi” dhe para se të arrijë në stacionin e autobusëve, si ndalje të parafundit do të jetë në rrugën afër shkollës “Model”.
Gjithashtu, kjo linjë ka bërë të ditur se sot, për të gjithë udhëtarët e Podujevës do të jenë biletat falas deri në ora 23:00.
Nënkryetari i Prishtinës, Florian Dushi tha se kjo linjë e re po konsiderohet më periferike, që autobusët të mos hynë në qendër të kryeqytetit.
Ai, ka bërë të ditur se kjo zgjidhje është e përkohshme, derisa të arrijnë një marrëveshje me kryetarin e Komunës së Podujevës.
Dushi shtoi se bileta që do ta shfrytëzojnë qytetarët për të ardhur në Prishtinë, e njëjta do vlejë edhe në shfrytëzimin e linjave të Trafikut Urban në kryeqytet.
Ndërsa, kryetari i shoqatës së transportit “Llapi”, Beqir Mustafa u shpreh se autobusët do të largohen menjëherë nga qendra dhe do të fillojnë punën nga sot.
E nënkryetari i kësaj shoqate, Mentor Mustafa tha se të gjithë udhëtarët do ta kenë sot biletën falas.
Arsyeja e grevës së shoferëve të shoqatës transporti “Llapi” ishte pasi që komuna e Prishtinës kishte vendosur disa standarde të reja, që kanë pasur për qëllim shkarkimin e pjesës qendrore të kryeqytetit nga komunikacioni.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim