Ish-ministri i Punëve të Brendshme nga radhët e LDK-së Agim Veliu ka folur rreth dështimit të tubimit në 35-vjetorin e themelimit të kësaj partie në Podujevë.
Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se dështimi i këtij tubimi u tentua të fshihej nga publiku.
“Absurdi i një tubimi në 35-vjetorin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, dështimi i të cilit u provua të fshihej nga opinioni. Në restorantin gjysmëbosh, në shënimin e themelimit të lëvizjes më të madhe politike në vend, nuk ishin protagonistët e rrugëtimit të suksesshëm politik për tri dekada e gjysmë. Hiç një pjesë prej të pranishmëve, disa prej tyre – përfshirë dy “liderët” – do të duhej ta shënonin pesë vjetorin e infiltrimit të tyre në LDK”, ka shkruar ai, raporton KosovaPress.
LDK është përçarë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në të cilat kjo doli parti e tretë dhe Lumir Abdixhiku tha se nuk do të jep dorëheqje.
Pas zgjedhjeve, ish-kryeministri Avdullah Hoti po kërkon lidership të ri në LDK duke shprehur haptas se është i pakënaqur me rezultatin zgjedhor.
“LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja,” ka shkruar Hoti para dy ditësh në Facebook.
Ai ka theksuar se personalizimi i fushatës zgjedhore, përbërja e listës, renditja e kandidatëve në listë, paraqitja dhe favorizimi medial i një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak, me gjithë përpjekjet e të gjithë neve për t’i tejkaluar ato pakënaqësi.
“Votimi disproporcional në diasporë e ka rënduar dhe cenuar më tutje atmosferën kolegiale dhe bashkëpunuese brenda LDK-së. LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve, të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë,” ka theksuar anëtari i Kryesisë së LDK-së.
Edhe Lufti Haziri ka theksuar se LDK-ja nuk i takon funksionarëve, por anëtarësisë së saj.
Ai ka shkruar në Facebook se kryetari i LDK-së, Abdixhiku, erdhi nga një Kuvend i jashtëzakonshëm, si pasojë e rezultatit më të rëndë historik.
“Ky ishte Kuvend i përballimit të situatës së jashtëzakonshme, me frymë unifikuese e me rrugëtim të përbashkët. Ndonëse ishte një fushatë e jashtëzakonshme e një mobilizim i madh, rezultati nuk ishte ai që e deshëm. Por, duhet ta ritheksojmë një të vërtet të madhe se betejat e fituara nuk ta garantojnë luftën politike, e aq më pak betejat e humbura të atyre që sillen sikur LDK-së i ka ra morti”, ka shkruar Haziri.
Ndërsa, nënkryetarja e LDK-së Doarsa Kica-Xhelili e ka quajtur “kërkesë qesharake” deklarimin e Hotit për ndërrimin e lidershipit të partisë duke thënë se strukturat e LDK-së i kanë dhënë dhe i japin mbështetje të plotë Lumir Abdixhikut si kryetar i partisë.