Një kujdestare fëmijësh në Kanzas të SHBA-së, e cila u kërkua nga një fëmijë të kontrollonte për mundësinë e ekzistencës së përbindëshave nën krevatin e tij, u trondit kur zbuloi një burrë që fshihej poshtë.
Ngjarja ndodhi më 24 mars në një shtëpi pak jashtë qytetit të Great Bend, kur kujdestarja po përpiqej t’i çonte fëmijët që po kujdesej për t’u vënë në shtrat. Megjithatë, njëri prej tyre kishte frikë, shkruan The Guardian, përcjell KosovaPress.
“Një fëmijë u ankua se kishte një ‘përbindësh’ nën krevat. Kur viktima përpiqej t’i tregonte fëmijës se nuk kishte asgjë nën krevat, ajo u përball me një burrë që fshihej aty”, tha policia në një deklaratë.
“Një përleshje shpërtheu me kujdestaren dhe njëri prej fëmijëve ra gjatë përleshjes. I dyshuari pastaj iku nga vendi para se të mbërrinin policët”.
Pasi policia mbërriti në shtëpi, viktima e identifikoi të dyshuarin si Martin Villalobos Junior, 27-vjeç, i cili ka jetuar dikur atje.
Mëngjesin tjetër, policia arrestoi Villalobos, i cili tash akuzohet për kidnapim, hyrje të paligjshme në banesë, dhunë të rëndë, rrezikim të fëmijëve, pengim të ligjit dhe shkelje të një urdhri mbrojtës. Ai mbahet në burg me garanci prej 500 mijë dollarësh.