Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se shtrenjtimi i serishëm i energjisë elektrike do të dëmtojë rëndë qytetarët dhe bizneset.
Në një konferencë për media, Shala tha se qeveria aktuale, në emër të liberalizimit të tregut po favorizon një grup të vogël të tregtarëve të energjisë, duke vënë barrën më të rëndë mbi familjet dhe bizneset kosovare.
Shala tha se vitet e fundit familjet kosovare po përballen me rritje të faturave të energjisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e mirëqenies së tyre.
Ai theksoi se bizneset po detyrohen të hynë në një treg të paqëndrueshëm e pa alternativa, një hap i cili sipas tij, është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm.
Qeveria aktuale, sipas Shalës duhet të ndalojë menjëherë këtë politikë të dëmshme për qytetarët dhe të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtjen e konsumatorëve. Shala, shtoi se PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet institucionale për parandalimin e shtrenjtimit të rrymës.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka propozuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet 15 për qind duke nisur nga muaji prill. Ndërsa, sipas këtij institucioni rregullues, nga 1 qershori bizneset me mbi 50 punëtorë dhe me qarkullim mbi 10 milionë euro do të kalojnë nga tregu i energjisë me çmime të rregulluara në treg të hapur.
Kujtojmë, ZRRE bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars. Më 2024, ZRRE uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë tre për qind, por në vitin 2023 rriti tarifat me 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve, raporton KosovaPress.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.