Kosova sot shënon 17-vjetorin e pavarësisë, organizimi festiv në sheshin e kryeqytetit, e organizuar nga Komuna e Prishtinës, është përcjellë nga një numër i vogël i qytetarëve edhe shkaku i motit të ftohët që po mbretëron në vend. Ndërsa, disa prej qytetarëve të cilët po e përcjellin këtë koncert, u shprehën se Komuna e Prishtinës, ka mundur të organizojë një koncert më të madh e më të mirë.
Qytetarja, Anela Zejnullahi u shpreh për KosovaPress se komuna është dashur të bëjë një organizim më të madh, të ftojë asamble të vendeve të ndryshme, e jo vetëm të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndërsa, Fatmir Thaçi, i cili kishte ardhur enkas nga Gjermania për të festuar pavarësinë e Kosovës, theksoi se organizimi është i mirë, dhe spas tij, Kosova është duke shkuar me hapa të mirë.
Ndërsa, Bajram Ademi shtoi se më mirë kishte me qenë të organizohet më ndryshe ky koncert.
Në fund edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama i uroi të gjithë qytetarët për festën e pavarësisë.
Rama tha se sot është një ditë e mrekullueshme, siç tha ai “një ditë që është pritur me shekuj”.
Kosova ka shënuar sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj. Me 17 shkurt 2008, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur Kosovën shtet të pavarur, demokratik e sovran.