Parku Natyror “Munellë”, në Pukë të Shqipërisë, është kthyer vitet e fundit në një atraksion që po tërheq të apasionuarit pas natyrës dhe ngjitjeve në mal.
Ky park shquhet gjithashtu për mbulesën e pasur të bimësisë, kryesisht të përbërë nga pyjet e ahut dhe pishës së zezë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale pamje bimët e ndryshme që ndodhen në këtë park si boshtra (Forsythia Europaea), dëllinja e zezë (Juniperus Communis), rigoni (Origanum vulgare), shqopa (Calluna Vulgaris), shafrani i egër (Crocusi) etj.
Zona e Munellës ka katër brezat e bimësisë/zona fitoklimatike që hasen në vendin tonë, të cilat pasqyrojnë vlerat e florës, bimësisë dhe habitateve të vendit: 1) shkurret dhe pyjet mesdhetare 2) brezin e dushkut 3) brezin e ahut dhe 4) kullotat alpine.
Në zonën e Munellës ekzistojnë 7 specie të listës floristike, të cilat mbrohen nga konventat ndërkombëtare. Në zonë gjenden 5 specie CITES të renditura në shtojcën I si Abies alba, Pinus heldreichii, Pinus nigra, Pinus peuce dhe Vitis vinifera.
Pyjet me Pinus heldreichii janë një habitat i rëndësishëm, pasi pisha boshnjake është një lloj relike nga periudha e Terciarit, por gjithashtu janë të rëndësishme për ruajtjen e biodiversitetit, pasi ata kanë një numër të madh të taksave endemike. Ata përfaqësojnë gjithashtu një tipar endemik të Ballkanit me një shpërndarje shumë të vogël. Prania e tyre rrit rëndësinë e ruajtjes së zonës së Malit të Munellës.
Brenda zonës së Malit të Munellës dhe rrethinave të saj, mund të ketë më shumë se 17 habitate të mundshme Natura 2000. Habitatet shkëmbore, si ato serpentine dhe ato gëlqerore, të cilat gjenden në Malin e Munellës, janë streha interesante për specie të rëndësishme.
Zona e Malit të Munellës është jashtëzakonisht e rëndësishme për mbijetesën dhe riprodhimin e rrëqebullit të Ballkanit të rrezikuar në mënyrë kritike në Shqipëri dhe më gjerë në rajon. Rezultatet tregojnë se një nënpopullatë e vogël e përbërë nga të paktën 4 individë të rritur (dhe ndoshta deri në gjashtë individë) mbijeton në Malin e Munellës dhe rrethinat e tij. Kjo është e vetmja popullatë banuese dhe riprodhuese e rrëqebullit e verifikuar se ekziston në Shqipëri.
Në këtë mal nuk mungojnë lloje të ndryshme kafshësh të tjera të egra si lepuri, kaprolli, derri i egër e ariu, të cilat e bëjnë Munellën një vend me mjaft interes për t’u eksploruar.
Parku Natyror “Munellë” me vendimin e Këshillit të Ministrave më 26 janar 2022 u miratua shpallja “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura) të ekosistemit natyror “Munellë”, me sipërfaqe 20 760,05 ha.