E shtunë, 15 mars – dita kur përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë parashikojnë “dhunë të madhe”, kurse studentët protestues thonë se është momenti kur “Serbia duhet të jetë në Beograd, në tubimin më masiv ndonjëherë”.
Studentët theksojnë se nuk janë të dhunshëm dhe nuk bëjnë thirrje për dhunë, shkruan REL.
Ata kanë bllokuar universitetet shtetërore që prej muajit dhjetor dhe kanë udhëhequr protesta paqësore në të gjithë Serbinë.
Kërkesë e tyre kryesore është përgjegjësia politike dhe penale për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Tani, ata paralajmërojnë një tubim të madh në Beograd. Dhe, ky tubim është bërë disa herë temë diskutimesh e përfaqësuesve të Qeverisë në Serbi.
Në një prej fjalimeve të fundit, presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi “dhunë” dhe “arrestime”.
Pa sjellë ndonjë provë apo detaj, ai tha se pret që “opozita të organizojë dhunë të madhe më 15 mars” dhe se “të gjithë ata që marrin pjesë në të, do të arrestohen”.
Profesori në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Bojan Vraniq, thotë se “nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë parashikon dhunë në ngjarje të caktuara”.
“Nuk është e pazakontë që të hamendësohet saktësisht se çfarë do të ndodhë. Prandaj, ky parashikim duhet të merret shumë seriozisht”, thotë Vraniq për Radion Evropa e Lirë.
Zyra e Presidentit të Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se në cilat informacione i mbështet Vuçiq pretendimet dhe parashikimet e tilla.
“Nuk do të habitesha nëse do të kishte trazira. Nuk mund të pretendoj se do të provokoheshin artificialisht, sepse, për fat të keq, autorët [e trazirave gjatë protestave] nuk janë zbuluar deri më tani. Edhe nëse janë zbuluar, në përgjithësi, nuk kemi pasur ndonjë situatë në të cilën kemi mundur t’i zbulojmë motivet”, thotë Vraniq.
Protestat në Serbi filluan pas shembjes së një strehe të Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor. Në këtë incident, 15 persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën rëndë.