Papa Françesku bëri thirrje për armëpushim në të gjitha frontet e luftës në lutjen e tij të sotme përpara Krishtlindjes, duke dënuar mizorinë e bombardimeve të shkollave dhe spitaleve në Ukrainë dhe Gaza.
“Le të heshtin armët dhe le të kumbojnë këngët e Krishtlindjes. Le të lutemi që në Krishtlindje të ketë një armëpushim në të gjitha frontet e luftës, në Ukrainë, në Tokën e Shenjtë, në të gjithë Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”, tha ai.
Françesku kujtoi Ukrainën e shkatërruar, e cila është ende e prekur nga sulmet në qytete. Ai shprehu gjithashtu dhimbjen për tmerret e luftës në Gaza.
Papa, i cili javën e kaluar mbushi 88-vjeç, dukej në formë të mirë sot pasi dje u njoftua se kishte një ftohje të lehtë. Të martën ai do të kryesojë festimet e Krishtlindjes në Bazilikën e Shën Pjetrit.