Rezistenca ndaj antibiotikëve po shkakton një pandemi të heshtur në Itali, duke u shkaktuar 12,000 vdekje çdo vit dhe duke i kushtuar sistemit shëndetësor mbi 2 miliardë euro. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), kjo krizë po ngarkon gjithashtu spitalet, me 2.7 milion shtretër të zënë nga infeksionet e shkaktuara nga mikrobet rezistente ndaj antibiotikëve, raporton ANSA.
Robert Nistico, presidenti i Agjencisë Italiane të Barnave, theksoi se për të përballuar këtë emergjencë, është e nevojshme një qasje globale që promovon përdorimin e kujdesshëm të antibiotikëve, duke përfshirë edhe fushën veterinare, si dhe forcimin e masave të parandalimit. Ai vuri gjithashtu theksin te kërkimi për barna të reja antimikrobiale, që mund të kalojnë barrierat e rezistencës aktuale.
Në vitin 2023, konsumi i antibiotikëve në Itali u rrit me 5.4% në krahasim me vitin 2022, duke arritur një mesatare prej 22.4 dozash për mijë banorë. Përdorimi i antibiotikëve arrin kulme gjatë muajve të dimrit, kur shpesh përdoren gabimisht për trajtimin e infeksioneve virale si gripi. Po ashtu, gjysma e popullsisë geriatri përdor antibiotikë të paktën një herë në vit, me një përqindje më të lartë në Jug, transmeton KosovaPress.
Konsumi në spitale është gjithashtu në rritje, ku mikrobet rezistente janë më të përhapura. Italia mban gjithashtu rekord për përdorimin e antacidëve të stomakut, që mund të favorizojnë zhvillimin e mikroorganizmave rezistentë. Indeksi i Rezistencës ndaj Barnave, i cili bashkon konsumimin e antibiotikëve dhe rezistencën ndaj tyre, është në rritje në shumicën e rajoneve, sidomos për bakteret si Escherichia coli, Streptococcus pneumoniae, dhe Enterococcus faecium.
Raporti i fundit tregon se përdorimi i antibiotikëve me spektër të gjerë ka pësuar një rritje shqetësuese, pasi këto molekula janë më të prirura të shkaktojnë rezistencë mikrobike. Edhe pse ka një rënie të konsumit në kujdesin kontraktual dhe disa mjedise, sfida e rezistencës mbetet një kërcënim i madh për shëndetin publik dhe sistemin shëndetësor në Itali, transmeton KosovaPress .