Padeli, sporti që po zhvillohet me hov të madh në Kosovë

Fillet e tij i ka në Meksikën e largët, por sporti i padelit po zhvillohet hovshëm edhe në Kosovë. Ngjason shumë me tenisin, por padeli është sport me karakteristika të veçanta.

Duke e parë interesimin e madh të të rinjve për këtë sport, në vitin 2021 në Kosovë u themelua Federata e Padelit.

Megjithëse e re, kjo federatë tashmë numëron pesë klube profesionale të padelit, derisa sekretari i saj, Jusuf Kika thotë për KosovaPress se në proces të krijimit janë edhe disa klube të tjera.

E duke e parë këtë rritje të interesimit për këtë sport, Kika thotë se është shumë i nevojshëm ndërtimi i fushave të padelit edhe në qytete të tjera të Kosovës, por pranon se kjo federatë nuk ka buxhet për ta bërë këtë.


Ai flet edhe për disa nga karakteristikat që ka ky sport.

Planet e Federatës së Padelit, sipas sekretarit të saj, janë të mëdha.

Vitin e ardhshëm në Kosovë do të organizohet një eventi ndërkombëtar në këtë sport.

“Menjëherë pas hapjes së fushave të para të padelit deri më tani mund të them se i kemi organizuar më shumë se 15 ose 20 turne, disa më të vegjël e disa më të mëdhenj. Kampionati shtetëror kuptohet çdo vit që e organizojmë, i kemi dy edicione brenda vitit të ligës së padelit…Ndërsa këtu në Prishtinë nuk kemi mbajtur turne Ballkanik ose Evropian, nuk kemi kaluar ende në atë nivel mirëpo brenda vitit 2025 Kosova do të jetë nikoqire për njërin nga këta turne pasi që jemi në bisedime me federatat rajonale për ta krijuar një komitet ballkanik të padelit”, thekson Kika.

Kika bën të ditur gjithashtu se sporti i padelit pritet që për herë të parë të jetë në mesin e sporteve që do të zhvillohen në Kosovë edhe në kuadër të Lojërave Mesdhetare që do të zhvillohen në vendin tonë në vitin 2030.

Lexo edhe

Video