Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur ngushëllime për vdekjen e babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, shkruan KosovaPress.
“Haxhi Thaçi do te kujtohet si njeri mirë, i urtë, i ndershëm dhe i respektuar. Si baba i përkushtuar, që rriti dhe edukoi fëmijë me vlera të larta, si ish presidentin Hashim Thaçi, i cili si Drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, dha një kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera organizata në telegramin e ngushëllimit.
Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.
Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.
Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.
“E dimë që dhimbja bëhet edhe më e rëndë për shkak të padrejtësisë që po i bëhet Hashimit në Hagë, duke e penguar që të ishte pranë babait sa ishte i sëmurë dhe sot që të jetë pranë familjes dhe t’i jap lamtumirën e fundit babait te tij”, ka shkruar OVL-UÇK të hënën.
Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.
Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.
Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.
Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.
Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.