Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se shumë shpejt do të dihet data për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, por ajo theksoi se gjithçka do të bëhet sipas afateve kushtetuese.
Osmani para mediave tha se sot zyrtarisht kanë pranuar nga KQZ, njoftimin e rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit të certifikuara.
KosovaPress ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti se kur do të nis konsultimet për qeverinë e re por nuk u përgjigj.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në afat prej 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit.
Në bazë të rezultatit të certifikuar të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.30 për qind, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.
/KosovaPress/