Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar mbi zhvillimet e fundit në vend, situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe hapat përpara drejt formimit të qeverisë.
Gjithashtu, biseda u fokusua në angazhimet konkrete pas vizitave të fundit në Kosovë, përfshirë ato të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, emisarit special evropian për dialogun Peter Sorensen, përfaqësuesve ushtarakë të SHBA-ve, si dhe vizitën e presidentit të Letonisë.
Në takim u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe SHBA-së, në përputhje me objektivat e përcaktuara nga presidenti Donald Trump dhe administrata e tij.
Osmani dhe Prattipati u ndalën veçanërisht te zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik dhe forcimi i partneritetit në fushën e mbrojtjes. Takimi riafirmoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Kosovës dhe SHBA-së dhe angazhimin për forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve, raporton KosovaPress.