Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do të arrijë të hënën për vizitë në vendin tonë, e para kjo pas marrjes së postit në muajin shkurt, duke e zëvendësuar paraardhësin e tij, Miroslav Lajçak.
Presidentja Vjosa Osmani do të presë në takim përfaqësuesin e ri të BE-së për dialogun në Kabinetin e Presidentes nga ora 09:45, thuhet në njoftimin e Presidencës, raporton KosovaPress.
Njohësit e procesit të dialogut thonë se është vështirë të bëhet ndonjë hap konkret pa formimin e qeverisë së re në Kosovë, dhe zgjidhjen e krizës politike në Serbi.
Megjithatë, konsiderohet se Sorensen gjatë vizitës treditore në Kosovë, mund të diskutojë me përfaqësuesit institucionalë dhe politikë për hapat përpara që do të ndiqen në këtë proces, zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit, të arritur në vitin 2023.
Shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas javë më parë ka thënë se gjatë muajit mars do të shikojnë të funksionalizojnë dialogun dhe të shohin sesi të ecet përpara.
Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, por palët ende nuk kanë filluar zbatimin e saj.