Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, me të cilin ka biseduar rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe për bashkëpunimin në tejkalimin e “sfidave të përbashkëta në kontinentin evropian”.
Osmani ka falënderuar diplomatin suedez për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës “duke theksuar rëndësinë e partneritetit në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë”.
Në njoftim është bërë e ditur gjithashtu se Osmani dhe Westerlund kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, i cili do t’i sigurojë Zyrës së Presidentes mbështetjen e shtetit suedez nëpërmjet ekspertizës profesionale nga fushëveprimtaria e institucionit të Presidencës.
“Ky Memorandum Bashkëpunimi shënon një tjetër hap konkret në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të politikave të bazuara në ekspertizë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”, ka thënë Presidenca në një njoftim në Facebook.