Osmani përshëndet shumë të pranishëm por jo edhe veteranët e UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka përshëndetur veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ceremoninë kryesore të festimit të shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Osmani pasi mori fjalën para parakalimit të kuadrateve të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ku përshëndeti të pranishmit, familjet e dëshmorëve të UÇK-së, por jo edhe veteranët.

“I nderuar kryeministër, të nderuar ish presidentë, të nderuar kabinet qeveritar, oficerë, nënoficer dhe ushtarë të Forcës dhe Sigurisë, të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të nderuar familje të dëshmorëve të UÇK-së, të nderuar ambasadorë nga shtetet mike dhe shumë të dashur të pranishëm”, tha Osmani.

Kurse, kryeministri Albin Kurti, edhe pse e është i informuar se kjo ceremoni u bojkotua nga organizatat e dala nga lufta, mes tjerash përshëndeti familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së.


“E nderuar zonja Vjosa Osmani-Sadriu, presidente e Republikës. Të nderuar presidentë, zotëri Fatmir Sejdiu dhe zonja Atifete Jahjaga. Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra. I nderuari komandant i Forcës, Bekim Jashari, të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare. Të nderuar familje të dëshmorëve, ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë. Të nderuar ushtarak të FSK-së dhe oficerë të Policisë së Kosovës”, tha Kurti.

Përndryshe, organizatat e dala nga lufta kanë refuzuar të marrin pjesë në aktivitetet e organizuara shtetërore. Ata sot të vetëm kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, derisa kritikuan kryeministrin Albin Kurti, për të cilin thanë se s’ka bashkëpunuar në asnjë moment me veteranët.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, tha se ata nuk e bojkotojnë festën e Pavarësisë, por theksoi se nuk kanë marrë pjesë në Këshillin Organizativ për shënimin e kësaj 17-vjetorit të shtetësisë.

Ai iu uroi 17 shkurtin të gjithë familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve, teksa përmendi edhe ish krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë./KosovaPress/

Lexo edhe

Video