Osmani: Mediat e mbështetura nga Rusia dezinformuan për zgjedhjet në Kosovë

Rusia dhe Serbia kanë promovuar aktivisht dezinformimin dhe narrativat përçarëse për ta minuar besueshmërinë në proceset demokratike në Kosovë. Kështu u tha gjatë publikimit të raportit rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuse, Birn Kosova, raporton KosovaPress.

Në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav tha se dezinformimi është më shumë se thjesht përmbajtje mashtruese. Ai shtoi se dezinformomi manipulon opinionin publik, nxit ndarjen dhe minon besimin tek institucionet.

Orav tha se çdo individ mund të bëhet objektiv i manipulimit të informacionit.

Ndër të tjera, Orav potencoi se raporti në fjalë zbulon se narrativat dezinformuese u përhapën jo vetëm nga aktorët politikë vendorë, por edhe nga forca të jashtme, me qëllimin për të destabilizuar besimin e publikut në procesin zgjedhor të Kosovës, shkruan KosovaPress.

Aivo Orav tha se Bashkimi Evropian mbetet thellësisht i përkushtuar në mbështetjen e lirisë së medias, gazetarisë së bazuar në fakte dhe përpjekjeve për të luftuar dezinformimin.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se dezinformimi nuk është vetëm sfidë por rrezik real për stabilitetitin, integritetin tonë si shtet dhe demokracinë. Ajo shtoi se në kontekstin e sigurisë shtetërore mosverfikimi i fakteve nuk është thjeshtë një problem etik apo profesional i medias, por sipas saj shndërrohet në kërcënim serioz ndaj shtetit.

Osmani, shkruan KosovaPress, theksoi se Serbia dhe Rusia kanë promovuar dezinformimin për ta minuar procesin e demokracisë në Kosovë dhe nxitjen e tensioneve në rajon.


Ndërkaq, të gjeturat kryesore të raportit rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë i shpalosi Kreshnik Gashi nga Birn Kosova.

Ai theksoi se zgjedhjet në Kosovë u karakterizuan me gjuhë të urrejtjes dhe dezinformata nga Kremlini dhe Serbia.

Lexo edhe: https://kosovapress.com/serbia-dhe-rusia-promovojne-dezinformimin-per-ta-minuar-demokracine-ne-kosove

Po ashtu, Gashi tha se pati gjuhë të urrejtjes dhe dehumanizim për kundërshtarët politik brenda vendit.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit sipas këtij raporti  pati përdorim të lartë të rrjeteve sociale në multiplifikimin e gjuhës së urrejtjes dhe narrativave dezinformuese.

“Është shumë e qartë se gjatë zgjedhjeve të fundit në Kosovë ka pasur një fushatë dezinformuese dhe me materiale të urrejtjes e cila është nisur dhe krijuar nga Kremlini, pra nga qeveria ruse. Kemi pasur një fushatë dehumanizuese dhe një fushatë të urrejtjes, e cila e ka pasur burimin tek njerëzit të cilët kanë rol në qeverinë e Serbisë apo në shtetin serb. Rrjetet sociale konstatohen si problem shumë serioz, për shkak se kanë krijuar mundësi të multiplifikimit të narrativave dezinformuese, të gjuhës së urrejtjes, por edhe në raste të krijimit të saj varësisht prej teknikës që është përdorur. Ose ka qenë politikani burim i gjuhës së urrejtjes ose ka qenë media sociale që e ka zhvilluar gjuhën e urrejtjes. Ajo që është problematike për neve dhe në raport identifikohet është faktori që institucionet e shtetit ose mekanizmat rregullues të mediave në vendit tonë kanë dështuar në rregullimin e audiencës”, tha Gashi.

Rritje të përdorimit të inteligjencës artificiale në dezinformim, prani të influencës kineze në artikuj të sponzorizuar e transparencë e ulët e financimit të fushatës, janë ndër karakteristikat e zgjedhjeve parlamentare sipas raportit të publikuar të mërkurën.

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video