Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka kujtuar përvjetorin e Masakrës së Likoshanit dhe Qirezit, duke thënë se janë dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin shqiptar.
“Kujtimi për martirët mbetet i gjallë, ndërsa amaneti i tyre na obligon të vazhdojmë kërkimin e drejtësisë”, shkroi Osmani në Facebook.
Ajo tha se më 28 shkurt 1998, regjimi gjenocidal i Millosheviqit kreu një nga aktet më të rënda të terrorit shtetëror, duke vrarë mizorisht 24 banorë të Likoshanit dhe Qirezit, në vatrën e rezistencës, në Drenicë.
“Aty ku dhimbja dhe guximi u ndërthurën, vajzat dhe djemtë e UÇK-së, bënë sakrificën më të madhe për çlirimin e Kosovës, ndaj në këtë 27-vjetor nderojmë me respekt të thellë ata që ranë për liri. Masakra në Likoshan dhe Qirez mbetet një dëshmi e brutalitetit të ushtruar mbi popullin tonë, por edhe një moment kur vendosmëria për liri u bë e pathyeshme”, tha Osmani.
Sot bëhen 27 vjet nga fillimi i luftës në Kosovë, e cila nisi në fshatrat e Drenicës – Likoshan dhe Qirez, ku te vendi i quajtur “Te tre lisat” u zhvilluan luftimet mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave kriminale serbe.
Në luftimet e zhvilluara mbetën të vrarë disa policë serbë. Si pasojë e kësaj, forcat e armikut rrethuan të dy fshatrat, ku ekzekutuan 24 civilë të pafajshëm./KosovaPress