Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga presidenti William Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kjo njohje është një dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme për të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial, njëkohësisht është edhe njohje e vuajtjeve të gjata e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri.
Ajo në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës shpreh falënderime të sinqerta ndaj presidentit të Kenias, William Ruto, për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe ndaj institucioneve dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap të madh diplomatik.
Pacolli thotë se Kenia ka njohur zyrtarisht Kosovën • KosovaPress
Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka shkruar Osmani në Facebook, raporton KosovaPress.
Osmani ka paralajmëruar se marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kenias do të thellohen në fusha të ndryshme, ndaj presim që shumë shpejt të vendosim marrëdhënie diplomatike, duke ndërtuar një partneritet të fortë dhe afatgjatë në mes dy shteteve dhe popujve tanë.
Kjo është njohja e parë pas pesë vjetësh nga njohja e fundit nga Izraeli. Kenia bëhet shteti i 118-të që njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008.