Osmani: Familja Jashari është themeli mbi të cilën është ngritur liria e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thanë se familja Jashari është themeli mbi të cilën është ngritur liria e Kosovës.

E para e vendit në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së për nder të 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, tha se Jasharajt janë shembulli më i mirë sesi duhet vendi dhe liria, raporton KosovaPress.

“Ishin shembulli më i mirë sesi duhet vendi e si duhet liria. Hamëz Jashari bashkë me Adem Jasharin dhe të gjithë familjen e tyre qëndruan të palëkundur në luftë duke dëshmuar se s’ka sakrificë më të madhe sesa flijimi për të ardhmen dhe flijimi për atdheun. Ato tri ditë të marsit, 5,6 dhe 7 mars të 1998 në Prekaz ndodhi një ndër betejat më heroike të kombit shqiptarë. Dëshmorë, përveç burrave u bën edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë. Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, por ishte një kështjellë e lirisë. Ishte një fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë dhe i tillë mbetet edhe sot. Familja Jashari është themeli mbi të cilën është ngritur liria e Kosovës”, tha ajo.

Osmani shtoi se Epopeja e UÇK-së na ka mësuar se asgjë nuk është e pamundur kur ka guxim për të qëndruar të bashkuar për idealin e lirisë. Prandaj, ajo theksoi se sot më shumë se kurrë duhet përbashkuar për të mbrojtur vendin, transmeton KosovaPress.


Presidentja Osmani  tha se ushtria e Kosovës me profesionalizëm dhe përkushtim është gjithmonë e gatshme për t’i dal zot vendit dhe se së bashku me policinë janë garanci për sovranitetin e Kosovës.

Sulmin e gjerë që e kishte ndërmarrë Serbia në Drenicë për të zhdukur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e koncentroi në Prekaz, në zemrën dhe kokën e UÇK-së duke i bërë asaj një rrethim të hekurt.

Ajo që do të ndodhë në fillimet e marsit të vitit 1998 do të jetë një dëshmi e gjallë për botën e qytetëruar dhe përgjegjësit e saj politik e diplomatik. Në të vërtetë kjo ngjarje kaq e drejtpërdrejtë dhe kaq e fuqishme për nga përmasat e saj të flijimit unikat, të qëndresës e të masakrimit do ta ngrejë çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. Kështu, në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt, raporton KosovaPress.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video