Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së.
Kjo deklaratë e Osmanit vjen pas takimit me përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, Peter Sorensen, me të cilin tha se diskutuan për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës, raporton KosovaPress.
Osmani, gjatë takimit të zhvilluar me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ia ka paraqitur vërejtjet për Draftin e statutit të Asociacionit.
“Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për Draftstatutin e Asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sa i përket integrimit në organizata ndërkombëtare, Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, përderisa ripotencoi shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, përfshirë shkeljen e nenit 4 të marrëveshjes së shkurtit 2023.
Sipas Osmanit, Kosova është e përkushtuar për reformat e nevojshme dhe theksoi se në kontekstin e dinamikave të reja gjeopolitike, Kosovës duhet t’i jepet statusi i kandidatit dhe procesi i zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor duhet të përshpejtohet, bazuar në parimin e meritokracisë.
Ajo ritheksoi gjithashtu nevojën për heqjen e masave të padrejta të vendosura nga BE-ja, në qershor 2023, duke theksuar ndikimin e tyre negativ në jetën e qytetarëve të Kosovës, pa dallim si dhe dëmtimin e vet procesit të dialogut duke e bërë atë të pabalansuar.
“Kosova është dëshmuar tashmë si palë konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balansin e nevojshëm në dialog”, theksoi ajo.
Gjatë takimit u diskutua roli i NATO-s, në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, krahas institucioneve të Kosovës, sikurse edhe roli i EULEX-it, në kontekstin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.
Presidentja Osmani e ka pritur sot në takim emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.
Kjo është vizita e parë e Sorensenit në Kosovë. Ai do të takohet edhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti si dhe kryenegociatorin kosovar për dialog, Besnik Bislimi, shkruan KosovaPress.
Lexo edhe:
https://kosovapress.com/sorensen-ne-takim-me-osmanin