Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së nuk janë njoftuar ende zyrtarisht për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë. Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve deklaroi se nuk janë të vendosur nëse do të dërgojnë përfaqësues në Këshillin Shtetëror për shënimin e Epopesë së UÇK-së, këshill ky i themeluar sot nga Qeverisë së Kosovës.
Qeveria ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili do të kryesohet nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Jashari tha se deri më tani nuk janë kontaktuar nga institucionet.
Ai shtoi se nuk kanë bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, pas dorëheqjes së ish-ministrit, Armend Mehaj.
“Kemi qenë pjesë aktive sa ka qenë ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj, sepse kemi pasur një bashkëpunim të mirë por me largimin e tij nuk kemi pasur asnjë bashkëpunim dhe do të shohim. Çdoherë me ne janë bërë organizimet me FSK-në, por ka pasur edhe anëtarë të tjerë të këtij organizimi. Megjithatë, pa u drejtuar zyrtarisht për të marrë pjesë, nuk mund të them asgjë”, shton Jashari.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së nuk mori pjesë në aktivitetet e organizuara nga Qeveria për 17 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës për shkak se qeveria nuk ka treguar asnjëhrë gadishmërinë për të bashkëpunuar me organizatat e dala nga lufta./Sh.Pajaziti/