Linjat e autobusëve Podujevë-Prishtinë kanë hyrë sot sërish në grevë, duke lënë pa transport qindra udhëtarë që përdorin këto linja çdo ditë. Shkak për grevën është vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e hyrjes së autobusëve në vendin ku zakonisht stacionohen autobusët nga Podujeva. Përfaqësuesit e kompanive të linjës së autobusëve nga Podujeva e kanë cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe kanë akuzuar komunën e Prishtinës për hakmarrje, raporton KosovaPress.
Mentor Mustafa, nga Shoqata e Transportit të Podujevës për KosovaPress tha se vendimi i Komunës së Prishtinës për ndalimin e autobusëve të linjës Podujeve-Prishtinë që të stacionohen tek vendi i ashtuquajtur ‘Te xhamia e Llapit” është e pa drejtë, dhe është bërë pa paralajmërim nga Komuna e Prishtinës.
Ndërsa Egzon Azizi pronor i një kompanie të linjës Prishtinë-Podujeve për KosovaPress tha se është vendim i papranueshëm, pasi që në atë vend kanë qarkulluar që 50 vite. Tutje Azizi thotë se këtë vendim komuna e Prishtinës e ka marrë pa pëlqim nga Ministria e Infrastrukturës.
Ndërsa Luftar Braha nga Komuna e Prishtinës në lidhje me këtë çështje tha se vendimi është marrë për të i drejtuar autobusët nga Podujeva drejt stacionit të Prishtinës me qëllim që ë lirohen rrugët e qytetit, dhe qarkullimi i transportit urban të jetë sa më i mirë, shkruan KosovaPress.
Sipas tij, vendimi i Kryetarit të Komunës rregullon trasenë e linjave ndërurbane në zonat urbane dhe e barazon edhe Podujevën me Drenasin, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën, Ferizajin e të gjitha qytetet tjera që të përdorin rrugët rajonale dhe pikëndalimi ta kenë Stacionin e Autobusëve.
Po ashtu sipas tij, liron ngarkesën e trafikut në rrugën hyrëse dhe dalëse Ilir Konushevci, e njohur në publik si Xhamia e Llapit, si dhe me reformën e Transportit Publik dhe biletën e unifikuar, qytetarët nga gjithë Kosova kanë çasje në të gjithë qytetin me vetëm 80 cent në ditë.
Muajt e fundit ka pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme ndërmjet përfaqësueseve të linjës së autobusëve Podujevë-Prishtinë dhe komunës së Prishtinës. Greva pritet që të vazhdoj edhe në ditët në vazhdim deri në gjetjen e ndonjë zgjidhje, raporton KosovaPress.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim...