Serbia përmes luftës hibride po ndërhynë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Kështu u tha në tryezën e Institutit për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, ku u diskutua për ndërhyrjen e huaj në zgjedhje dhe ndikimin e saj në sigurinë kombëtare dhe demokraci.
Drejtori i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, tha se lufta hibride e Serbisë kundër Kosovës përfshinë aktivitete të kombinuara që minojnë rendin demokratik.
Ai theksoi se Lista Serbe është një ombrellë e maskuar legalisht për destabilizimin e Kosovës.
“Serbia është strukur në botën autoritare ruse dhe kineze për ta vazhduar politikën ekspansioniste. Lufta e saj hibride kundër Kosovës që mund të përkufizohet si ndërhyrje politike, ekonomike dhe sigurisë përfshinë aktivitete të kombinuara që minojnë rendin demokratik dhe konsolidimin e saj ndërkombëtarë. Ndikimet në proceset zgjedhore, qoftë lokale apo parlamentare ajo i ka konsideruar gjithmonë një mundësi të mirë sabotimi…Tendenca të tilla dhe qasje e njëjtë e ndërhyrjes nga Serbia po vërehet edhe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Partia e Vuçiqit ka bërë thirrje që të votohet vetëm Lista Serbe. Qeveria e saj është mobilizuar që të mbështesë me të gjitha mjetet, duke përdorur edhe metodat financiare. Angazhimi i Serbisë për t’ia siguruar 10 mandatet e garantuara në Kuvendin e Kosovës s’ka të bëjë vetëm me qëllimin për kontroll por edhe me mesazhin për mbështetjen absolute për mekanizmin e besueshëm të Beogradit për serbët e Kosovës. Ndërkaq, sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, udhëheqjen e të cilit që e ka pranuar vet nënkryetari Milan Radoiçiq tregon se Lista Serbe nuk është thjesht një subjekt politik, por është një ombrellë e maskuar legalisht për aktivitete hibride për destabilizimin e Kosovës”, tha ai,
Pjesë e kësaj tryeze diskutimi ishte edhe gazetari nga Serbia, Radomir Dimiç, i cili tha se Serbia përmes luftës hibride po ndërhynë në procesin zgjedhor në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe Bosnjë Hercegovinë.
Ai përmendi edhe ndikimin e Listës Serbe në Kosovë, që sipas tij, po përdoret nga Beogradi zyrtar për destabilizimin e Kosovës.
Në anën tjetër, ambasadori i Finlandës, Matti Nissien, tha se lufta hibride kundër Kosovës më shumë po manifestohet përmes fushatave keq informuese që synojnë ndarjet etnike.
Edhe të pranishmit të tjerë në këtë konferencë vunë në pah ndërhyrjen e Serbisë në procesin zgjedhor të 9 shkurtit./KosovaPress/