Numërohen 78 për qind të votave për kandidatë për deputetë dhe subjekte politike

Deri më tani janë numëruar rreth 78 për qind të votave për kandidatë për deputetë dhe subjekte politike. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili foli edhe për pakot e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.

Elezi, tha se që nga 9 shkurti, kur ka filluar vlerësimi i tyre, deri më tani këtij procesi iu janë nënshtruar rreth 28 mijë e 99 pako, prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13, ndërsa 2 mijë mijë tjera janë refuzuar.

Shkaku i refuzimit, sipas tij është se janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës dhe iu ka munguar dëftesa e regjistrimit apo janë dërguar më shumë se njëherë.


“Lidhur me numërimin e votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikim e rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime në Qendra Komunale të numërimit, ju njoftoj se deri më 18 shkurt në orën 16:00 janë numëruar rreth 78 për qind të vendvotimeve apo rreth 1 mijë e 970 nga dy mijë e 533 sosh. Ju njoftoj se, është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove në fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, respektivisht nga votimi përmes postës nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove në fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, deri më tani me 18 shkurt këtij procesi iu janë nënshtruar rreth 28 mijë e 99 pako prej të cilave janë aprovuar 26 mijë e 13, ndërkaq janë refuzuar dy mijë e 57. Arsyeja pse janë refuzuar këto dërgesa postare, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës iu mungon dëftesa e regjistrimit, apo janë dërguar më shumë se një herë”, tha Elezi.

Elezi, ka shtuar se ky proces i numërimit të votave, do të përmbyllet brenda pak ditësh.

Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota. /A. Shala/

Lexo edhe

Video