Një person është plagosur nga të shtëna me armë zjarri sot në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë, në rrethana ende të pasqaruara.
Lajmi për KosovaPress është bërë i ditur nga Flora Ahmeti, zëdhënëse e policisë rajonale Prishtinë.
“Sot rreth orës 13:00, policia ka marrë informacion për një plagosje me armë zjarri në rrugën “Fehmi Lladrovci” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë me hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, ku dyshohet se nga një person është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Aktualisht, hetuesit policorë në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.