Nis numërimi i votave të diasporës

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar të mërkurën procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës në 30 përfaqësi diplomatike me gjithsej 43 vendvotime.

Ky proces i votimit u zhvillua më 8 shkurt 2025 dhe morën pjesë 15 mijë e 352 votuesm apo 75.57% e numrit që ishin regjistruar si votues.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një konferencë për media.


“Procesi i votimit më 8 shkurt është organizuar në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Republikës së Kosovës, të cilat janë të vendosura në 19 shtete të ndryshme. Procesi i numërimit është transparent dhe vëzhguesit e akredituar janë njoftuar me kohë. Pas përfundimit të numërimit të ndonjë vendvotimi, brenda një kohe të shpejtë rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas përfaqësive diplomatike, do të shfaqen në platformën http://rezultatet2025.net “, u shpreh Elezi.

Duke mos dhënë ndonjë afat të caktuar se kur mund të përfundojë numërimi i votave, Elezi tha se pas përfundimit të këtij procesi do të nis numërimi i votave të diasporëës të dërguara me postë, dhe më pas i atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

“Ne do të jemi këtu me përditësime vazhdimisht. Pas përfundimit të numërimit të votave nga përfaqësitë diplomatike, po planifikojmë që të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës. Sipas të dhënave, pas procesit të vlerësimit, janë aprovuar më shumë se 63 mijë zarfe të supozuara me fletëvotime që do të numërohen. Dhe pasi të përfundojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, në proces të numërimit do të përfshihen fletëvotimet nga votimi me kusht i cili është zhvilluar në 56 vendvotime dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta”, tha ai.

Më 9 shkurt, në Kosovë votuan 40% e qytetarëve me të drejtë vote.

Lexo edhe

Video