Publicisti Andrej Nikolaidis ka akuzuar kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq se me iniciativën e tij për ta bërë serbishten gjuhë zyrtare në atë shtet po mundohet të shpëtojë presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe liderin e serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.
Ai në opinionin e tij ka theksuar se është çështje kohe kur BE-ja do ta kuptojë se, veçanërisht në konstelacionin e ri të fuqive, interesi i saj kryesor në Ballkan është të shkëpusë aleancën e shenjtë me diktatorin e Beogradit dhe nacionalizmin e madh serb – kur do ta kuptojë, pra, se interesi i saj është hyrja e shpejtë e Malit të Zi në BE, një Bosnje dhe Hercegovinë e qëndrueshme dhe një Serbi e demokratizuar, e cila është e detyruar të heqë dorë nga ideja se mund të kontrollojë shtetet fqinje përmes marionetave si Dodiku dhe Mandiqi.
Opinioni i plotë:
Pse pikërisht tani Andrija Mandiq po e rikthen çështjen e gjuhës serbe si temë kryesore, për të cilën, siç thotë ai, duhet të zhvillohet një dialog i gjerë shoqëror?
Sepse, si gjithmonë, atij i duhen përçarjet dhe tensionet etnike.
Dhe pse pikërisht tani i duhen tensionet?
Sepse Vuçiçi, Dodiku dhe projekti i tyre i përbashkët për botën serbe nuk po ecin mirë. Vuçiçi është në një lloj balancimi: ndoshta bie, ndoshta jo. Por dëmi tashmë është bërë – ai nuk është më një lider i fortë. Ai është shumë i dobët për të qenë një lojtar i Trumpit. Ai nuk mund të garantojë më asgjë, askujt. Ai nuk mund ta çojë më përpara projektin. Edhe nëse mbetet në pushtet, kështu i dobësuar, ditët e tij si sundimtar i Serbisë janë të numëruara – në një mënyrë ose në një tjetër, ky është fillimi i fundit të tij. Ai nuk është më një aset i besueshëm. Si i tillë, do të zëvendësohet me dikë tjetër.
E njëjta gjë vlen edhe për Dodikun. Ai ka shkuar shumë larg. Çdo ditë që kalon në pushtet është thjesht shtyrje e së pashmangshmes – arratisja në Beograd, Budapest apo Moskë.
Kjo e vonon në mënyrë të pacaktuar procesin e konsolidimit dhe përmirësimit të “botës serbe”.
Dhe kjo është e rrezikshme, sepse fuqia destruktive e Vuçiçit, Dodikut dhe Mandiqit mbetet ende e madhe. Dhe pak gjëra u kanë mbetur përveçse shkatërrimit.
Protestat masive në Serbi në njëfarë mënyre duken si një erë e së kaluarës: ato janë krejtësisht jashtë frymës së kohës së re, jashtë “Zeitgeist”-it që po formëson vendimtarisht internacionalen fashiste.
Studentët në Serbi, në thelb, po luftojnë për një shtet liberal-demokratik – një ndarje të qartë të pushteteve në tre degë të pavarura që kontrollojnë njëra-tjetrën dhe për sundimin e ligjit. Ata po e bëjnë këtë në një kohë kur administrata e Trumpit dhe çeta e qenve nga internacionalja fashiste po kryejnë një sulm frontal ndaj çdo vlere demokratike. Studentët po luftojnë kundër një lideri autoritar në kohën e liderëve autoritarë.
Ndërsa diktatorët në mbarë botën po forcohen, ai në Serbi po bëhet gjithnjë e më i dobët, gjë që është pasojë e drejtpërdrejtë e protestave studentore. Të cilat nuk kanë mbështetje as nga BE-ja, as nga SHBA-ja. Dhe pikërisht për këtë arsye ato janë kaq të fuqishme dhe shkatërrimtare për Vuçiçin: sepse nuk janë një konstrukt, nuk financohen nga jashtë, por janë një reaksion mbrojtës evolucionar i shoqërisë serbe ndaj sundimit të tij kriminal të çmendur.
Megjithatë, është çështje kohe kur BE-ja do ta kuptojë se, veçanërisht në konstelacionin e ri të fuqive, interesi i saj kryesor në Ballkan është të shkëpusë aleancën e shenjtë me diktatorin e Beogradit dhe nacionalizmin e madh serb – kur do ta kuptojë, pra, se interesi i saj është hyrja e shpejtë e Malit të Zi në BE, një Bosnje dhe Hercegovinë e qëndrueshme dhe një Serbi e demokratizuar, e cila është e detyruar të heqë dorë nga ideja se mund të kontrollojë shtetet fqinje përmes marionetave si Dodiku dhe Mandiqi.
Kriza e rrezikshme në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila ndodhet praktikisht në prag të një lufte të re, është një pasojë e drejtpërdrejtë e interpretimit më pak të gabuar, më shumë të parakohshëm të politikës së re të perandorisë amerikane nga Dodiku dhe Vuçiçi.
Nga njëra anë, është e qartë se Vuçiçi po përpiqet të qëndrojë në pushtet duke hapur një krizë në Bosnje dhe Hercegovinë dhe më pas duke u bërë thirrje qytetarëve të Serbisë për unitet në mbrojtje të serbëve në Bosnje dhe mbrojtje të ekzistencës së entitetit Republika Srpska – natyrisht, nën udhëheqjen e tij. Kur interesat kombëtare janë në rrezik, kush ka kohë të merret me demokracinë? Atëherë është koha që kombi të bashkohet rreth një lideri autoritar. Ky është plani i Vuçiçit. Nuk ka asnjë dyshim se Vuçiçi do të përfshijë këtu edhe luftën për “bashkëkombësit e diskriminuar” në Mal të Zi. Me iniciativën e tij për ta bërë serbishten gjuhë zyrtare, Mandiqi i ka dhuruar një asist Vuçiçit.
Milorad Dodik, lideri i serbëve të Bosnjës, nga ana tjetër, ka vlerësuar se pikërisht tani është momenti për të përfunduar procesin e shkëputjes së RS nga Bosnja dhe Hercegovina – për të cilin ai ka punuar për më shumë se një dekadë.
Që nga përfundimi i luftës në Bosnje, ishte e qartë se për atë konflikt nuk ishte shtypur “stop”, por “pauzë”. Ishte e qartë se Republika Srpska do të përpiqej të shkëputej nga Bosnja dhe t’i bashkohej Serbisë me rastin e parë kur të vlerësohej se rrethanat gjeopolitike ishin të favorshme.
Tani është ai moment. Perandoria po braktis politikat e saj të vjetra, përfshirë edhe ato në rajonin tonë. Po braktis aleatët e vjetër dhe po kërkon të rinj. Dodiku e pa këtë si një mundësi. Për më tepër, ai nuk mund të priste më, pasi në gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës është dënuar me një vit burg dhe ndalim të veprimtarisë politike për vendimet e tij separatiste.
Ai u përgjigj duke imponuar ligje që e nxjerrin territorin e tij – RS – jashtë sistemit juridik të Bosnjës, në mënyrë që vendimet e gjykatave në Sarajevë të mos kenë më efekt atje. Për të shmangur arrestimin, ai ndaloi funksionimin e policisë shtetërore dhe shërbimeve të inteligjencës në entitetin e tij.
Me këtë, shkëputja është praktikisht e përfunduar: mbetet vetëm të marrë kontrollin e kufijve dhe të shpallë pavarësinë – gjë që mund të përfundojë brenda një nate të vetme.
Dhe ndërkohë, Mali i Zi është në gjumë të thellë. Përveç Mandiqit dhe të tijve, të vetmit që kanë një qëndrim racional ndaj përrallës së hyrjes së Malit të Zi në BE në vitin 2028…