Ngrihet aktakuzë për vrasjen e Liridona Ademajt

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e Liridona Ademajt.

Përfundimi i hetimeve dhe ngritja e aktakuzës vjen një vit pas vrasjes së 30-vjecares.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference të mërkurën por nuk u dhanë shumë detaje rreth aktakuzës.

Aty u tha se kanë siguruar dëshmi dhe prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës, duke përfshirë edhe ato organet kompetente të Suedisë.

Liridona Ademaj u vra në nëntor të vitit 2023 dhe një prej të akuzuarve për vrasjen është edhe bashkëshorti i saj Naim Murseli.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq tha se nuk mund të jepen detaje rreth aktakuzës, porse potencoi se sipas dëshmive, e ndjera Liridona Ademaj dhe ish bashkëshorti i saj Naim Murseli gjatë kohës sa kanë qëndruar në Suedi kanë pasur ‘marrëdhënie të trazuara martesore’ dhe familjare dhe kanë ardhur deri të problemet pronësore”.

Ajo tha se Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava janë të përfshirë në mënyrë direkte në vrasjen e Liridona Ademajt duke shtuar se është edhe i pandehuri i katërt.


Për këtë të fundit Perlincevic tha se nuk ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt dhe se nuk mund të tregojnë detaje rreth identitetit dhe implikimit të tij.

Përveç këtyre, Perlinçeviq tha se nuk ka pasur marrëveshje për pranimin e fajësisë nga të akuzuarit.

Kryeprokurori Zejnulla Gashi tha se pas ngritjes së aktakuzës presim nga gjykata një dënim kapital.

Ai konsideroi se kanë arritur të grumbullojnë të gjitha provat dhe se tashme presin epilogun e rastit në gjykatë.

Gashi potencoi se vrasja e Liridona Ademajt ka qenë një çështje penale shumë e ndjeshme duke shtuar se janë zhvilluar hetime në shume dimensione si dhe ekspertiza nga jashtë dhe brenda.

Në konferencë ka dalë edhe vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj i cili tha se ende nuk e kanë lexuar aktakuzën.

“Po shpresojmë që drejtësia sa më shpejtë të bie në vendin e vet”, tha ai.

Lexo edhe

Video