Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të narkotikëve

Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Prizren, departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit R.Ç., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri R.Ç., më datë 22 gusht rreth orës 11:15 min në shtëpinë e tij në Prizren, pa autorizim ka shpërndarë dhe ofruar për shitje substanca të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, dhe atë të llojit “kokainë” dhe “marihuanë”.

Në njoftim thuhet se narkotikun e siguruar përmes rrugëve ilegale e mban në shtëpinë e tij nga ku fillon shitja në sasi të vogla ndaj personave të ndryshëm në qytetin e Prizrenit.


Pas sigurimit të informatave operative policia arrin ta arrestoj të dyshuarin.

“Gjatë kontrollit të kryer, saktësisht në dhomën e tij, janë gjetur dhe sekuestruar: një qese brenda së cilës ishin tridhjetë qese plastike me substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’ me peshë prej 32.03 gram, një qese me narkotik të llojit ‘marihuanë’ me peshë 0.28 gram, një qese brenda së cilës janë njëzetë e tre qese plastike me substancë narkotike të llojit ‘marihuanë’ me peshë 13.79 gram, një çantë e zezë krahu me mbishkrimin ‘NIKE’ brenda së cilës është një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit ‘marihuanë’ me peshë 177.18 gram, 3 qese me substancë narkotike të llojit ‘kokainë’ me peshë prej 5.32 gram, gjashtë paketime me qese të zbrazëta që shërbejnë për paketim të narkotikëve dhe dy peshore ‘constant’ ngjyrë e zezë dhe metalike, të cilat substanca narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezultojnë për narkotikë të llojit ‘marihuanë’ me peshë të përgjithshme prej 223.28 gram, si dhe narkotikë të llojit kokainë’ me peshë prej 5.32 gram”, njofton prokuroria.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Lexo edhe

Video