Dy muaj pas tragjedisë në Novi Sad, kur 15 persona humbën jetën dhe dy u plagosën rëndë nga rënia e strehës së Stacionit Hekurudhor, u hodhën hapat e parë drejt një epilogu të mundshëm gjyqësor.
Prokuroria e lartë publike në Novi Sad ngriti aktakuzë kundër 13 personave, përfshirë ish-ministrin e Transportit, Goran Vesiq dhe ish-drejtoreshën e Infrastrukturës Hekurudhore të Serbisë, Jelena Tanaskoviq.
Aktakuzë është ngritur edhe kundër Anita Dimoskit, asistente e Vesiqit për komunikacion hekurudhor, si dhe kundër Nebojsha Shurlanit, ish-drejtor i Infrastrukturës Hekurudhore.
Që të katërtit akuzohen për veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut publik” për veprën penale të rëndë kundër sigurisë publike.
Projektuesi përgjegjës i strukturës së ndërtesës, kryeprojektuesi i projektit paraprak, kryeprojektuesi i projektit për lejen e ndërtimit, si dhe personat përgjegjës për auditimin, kontrollin teknik, kryerjen e punimeve të ndërtimit dhe mbikëqyrjen profesionale, u akuzuan për veprën e rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, por në lidhje me veprën penale të kryerjes së paligjshme dhe të parregullt të punimeve të ndërtimit.
Aktakuza është dorëzuar në Gjykatën e Lartë në Novi Sad, së bashku me të është dorëzuar i gjithë dokumentacioni i mbledhur gjatë procedurës para hetimore dhe hetimore, si dhe të gjitha provat tjera që mbështesin ekzistimin e dyshimit të justifikuar për aktakuzë”, thuhet në njoftim nga Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad.
Prokuroria gjithashtu kërkon që të pandehurve t’u vazhdohet paraburgimi, si dhe të caktohet paraburgimi për të gjithë ata që mbrohen në liri – Jelena Tanaskoviq, Goran Vesiq dhe Anita Dimoski.
Prokuroria e Lartë Publike tha se presin që Gjykata e Lartë “të konfirmojë aktakuzën në një periudhë të shkurtër kohore për hir të veprimit urgjent dhe efikas”.
Rënia e strehës shkaktoi protesta të mëdha në Serbi që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, me kërkesën themelore të opozitës, studentëve dhe aktivistëve të protestës civile që ky rast të hetohet plotësisht dhe të gjykohen të gjithë përgjegjësit.
Kërkesa kryesore e studentëve, të cilët prej javësh kanë bllokuar fakultetet anembanë Serbisë, është publikimi i dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit.
Investitori i projektit ka qenë Infrastruktura Hekurudhore e Serbisë, e cila sipas lejes së ndërtimit është e obliguar të ofrojë mbikëqyrje profesionale gjatë kryerjes së punimeve.
Projekti për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit është përgatitur nga Instituti i Trafikut CIP.
Një konsorcium i kompanive kineze China Railway International dhe China Communications Construction u zgjodh për të kryer punimet në këtë projekt.
Kontrata e nënshkruar nga autoritetet serbe me partnerët kinezë për këtë punë nuk është e disponueshme për publikun.
Kompania franceze Aegis dhe ajo hungareze Utiber iu dha mbikëqyrja e ekspertëve, sipas Vendimit për dhënien e kontratave nga viti 2022, i disponueshëm në faqen e internetit të Ministrisë së Ndërtimit.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq hapi ndërtesën e rinovuar së bashku me kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Vetëm pak orë pas rënies së strehës, autoritetet pretenduan se ajo nuk ishte rinovuar, gjë që disa ekspertë e mohuan më vonë.
Në protestat në Serbi, përgjegjësia për vdekjen e 15 personave është kërkuar për javë të tëra dhe në shumicën e tubimeve dëgjohet i njëjti slogan – “korrupsioni vret”.
Opozita kërkon dorëheqjen e kryetarit të Novi Sadit, Millan Gjuriq, dhe kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, presidentit të Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë penale për rënien e strehës.
Autoritetet mohojnë akuzat për korrupsion – Presidenti Vuçiq deklaroi se në rastin e Novi Sadit “nuk ka korrupsion, por gabime profesionale”.
Vuçiq thotë se prokuroria e ka kryer hetimin “shumë shpejt” dhe se dorëheqjet e ministrave janë “dëshmi e progresit të shoqërisë serbe”.
Së bashku me Vesiqin dha dorëheqjen edhe Tomislav Momiroviqi, paraardhësi i Vesiqit në sektorin e ndërtimit gjatë rindërtimit, e më pas edhe ministri i tregtisë së brendshme dhe të jashtme.
Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që të reagojë edhe Prokuroria për Krim të Organizuar, nga e cila njoftuan se nuk do të veprojnë në këtë çështje./Danas.rs/