Numërimi i votave të dërguara nga diaspora pritet që të fillojë të mërkurën. Ndërkaq, deri sot në orën 12:00 janë skenuar 890 lista përfundimtare të votuesve nga 2 mijë e 533 gjithsej.
Kështu është bërë e ditur në mbledhjen e radhës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar te Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se rreth 730 zarfe me fletëvotime nuk janë vlerësuar fare për shkak se pritet skanimi i listave përfundimtare në përfaqësi diplomatike.
Buzhala potencoi se kutitë e votimit që përmbajnë zarfet me fletëvotimet përmes postës pritet që sot rreth orës 15:00 të transportohen në Qendrën e Numërimit të Rezultateve nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Ndërkaq, anëtari i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, Ilir Gashi kërkoi që të themelohet një komision i cili do të merret me hetimin e parregullsive me kutitë e votimit në Gjakovë dhe Mitrovicë dhe çështje të tjera.
Kundër kësaj reagoi anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi duke thënë se është këndvështrim komplet i një anshëm, politik dhe jo profesional i Gashit.
Sipas tij, organet kompetente po merren me kutinë e votimit në Gjakovë.
Ndërkaq, krejt në fund kryetari i KQZ-së, Kreshin Radoniqi bëri të ditur se nesër, 26 shkurt pritet që të fillojë numërimi i votave të diasporës.