Nëntë ditë pas zgjedhjeve, KQZ larg numërimit të votave të diasporës

Ani se kanë kaluar nëntë ditë nga dita e votimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk e di datën se kur do të nisë procesi i numërimit të votave jashtë Kosovës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi numërimi i këtyre votave mund të nis vetëm pasi të përfundoj procesi i vlerësimit të votave nga diaspora, që sipas tij, deri më tani janë verifikuar gati gjysma prej tyre.

Ndërsa, sa i përket votave me kushte dhe votave të personave me aftësi të kufizuara, ai tha se do të fillojë pasi të përfundoj procesi i numërimit të votave të rregullta në qendrat komunale të numërimit.

“Numërimi i votave nga jashtë Kosovës, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta do të fillojë pas përfundimit të numërimit në qendrat komunale të numërimit dhe pasi të bëhet procesi i vlerësimit të tyre nga ana e shërbimit votues të KQZ-së. Unë nuk do të përmend një datë, por në momentin kur të jetë gjithçka gati sigurisht se do t’ju njoftojmë”, tha ai.  


Ai ka thënë se po bëjnë përpjekje maksimale që sa më shpejt që është e mundur t’i përfundojë i gjithë procesi në mënyrë që të arrihet deri tek shpallja e rezultatit përfundimtar.

Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104 mijë e 924, prej të cilëve 20 mijë e 324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15 mijë 352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas.

Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është 2 mijë e 597 vota.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video