Nënat lirohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat në Hungari

Nënat lirohen nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat në Hungari

Hungaria të hënën prezantoi një reformë të gjerë për të mbështetur nënat duke i liruar kryesisht ato nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat, shkruan AA.

“Hungaria po bën histori me uljen më të madhe të tatimeve në Evropë dhe në tërë botën Perëndimore! Kjo nuk është vetëm një reformë; është agimi i një epoke të re për ekonominë e Hungarisë”, tha kryeministri Viktor Orban në X.

Sipas Orban, reforma prezanton ekonominë e parë në botë që është e përqendruar te familja përmes hapave të mëposhtëm:

• Nënat me një fëmijë do të jenë të liruara nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 30 vjeçare.

• Nënat me dy ose më shumë fëmijë do të jenë të liruara nga tatimi mbi të ardhurat për gjithë jetën, transmeton KosovaPress.


Orban theksoi se ky hap monumental siguron të ardhmen e familjeve hungareze për breza, duke e vendosur familjen në thelb të strategjisë ekonomike të kombit.

“Sipas çdo standardi, kjo reformë është një sensacion global – një hap i paprecedentë i dizajnuar për të forcuar dhe për të nderuar familjet hungareze për dekada të tëra”, shtoi Orban.

Hungaria ka kohë që ka prioritarizuar politikat që inkurajojnë rritjen e familjeve. Vendi ka përballur sfida demografike, përfshirë uljen e lindshmërisë dhe plakjen e popullsisë. Si përgjigje, qeveria ka zbatuar disa masa pro-familjes për të kthyer këto trende dhe për të nxitur rritjen e qëndrueshme të popullsisë.

Reforma është hapi më i fundit dhe më i rëndësishëm në strategjinë e Hungarisë për t’u bërë ekonomia e parë në botë e përqendruar te familja. Duke futur përjashtime tatimore për nënat, Hungaria synon të nxisë lindshmërinë dhe njëkohësisht të ndërtojë një forcë punëtore më të re dhe më të fortë.

Reforma është pjesë e një grupi më të gjerë iniciativash, përfshirë përfitime financiare direkte për familjet, strehim të subvencionuar për familjet e mëdha, arsimin falas dhe shërbime sociale të zgjeruara që synojnë uljen e ngarkesës financiare të rritjes së fëmijëve. Qeveria shpreson që këto masa do të kontribuojnë në një shoqëri të lulëzuar dhe të qëndrueshme në vitet që vijnë.

Duke liruar përherë nënat me dy ose më shumë fëmijë nga tatimi mbi të ardhurat, Hungaria synon të pozicionohet si lider global në politikat miqësore për familjen. Angazhimi i qeverisë për të siguruar të ardhmen ekonomike të familjeve është në përputhje me një lëvizje ndërkombëtare në rritje për të promovuar balancën mes punës dhe jetës dhe për të kundërshtuar ngecjen demografike.

Lexo edhe

Video