Negociatat për anëtarësim në BE, Komisionerja për Zgjerim në Tiranë nga 12-14 mars

Negociatat për anëtarësim në BE, Komisionerja për Zgjerim në Tiranë nga 12-14 mars

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos do të vizitojë Shqipërinë nga data 12 deri më 14 mars, duke shënuar misionin e saj të parë zyrtar në vend.

Kjo vizitë do të shërbejë si një rast për të diskutuar me autoritetet shqiptare mbi gjendjen e procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht progresin në reformat themelore dhe në drejtësi, shkruan ATSH.

Vizita do të jetë gjithashtu një mundësi për të përcjellë rëndësinë e konsolidimit të arritjeve përmes rezultateve të mëtejshme të prekshme, në përputhje me natyrën e bazuar në merita të procesit, përcjell KosovaPress.


Ndër të tjera, Komisionerja do të takohet me kryeministrin Edi Rama, kryenegociatoren për integrimin në BE, Majlinda Dhuka dhe me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali.

Sipas agjendës zyrtare të publikuar në faqen e Komisionit Europian, në 13 mars në orën 10:10, Komisionerja Kos do të japë një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Komisionerja Kos do të angazhohet gjithashtu me institucionet e pavarura shqiptare të drejtësisë, deputetë, duke përfshirë përfaqësues nga opozita, si dhe me organizata të shoqërisë civile.

Si pjesë e misionit të saj, Komisionerja Kos do të vizitojë tre projekte të financuara nga BE në Elbasan, ku do të angazhohet me sipërmarrje sociale të mbështetura nga asetet e konfiskuara nga krimi i organizuar, do të angazhohet me gra viktima të dhunës me bazë gjinore dhe shkëmbime me studentë të rinj që marrin pjesë në programin e shkëmbimit të shkollave të Ballkanit Perëndimor, i cili mbështet pajtimin dhe mësimin ndërkulturor dhe dialogun.

Lexo edhe

Video