Në shërbim të qytetarëve me nder e përgjegjësi, flet nënkryetari i ri i Prishtinës

Në shërbim të qytetarëve me nder e përgjegjësi, flet nënkryetari i ri i Prishtinës

Shkëmb Manaj ka marrë detyrën e nënkryetarit të Prishtinës pasi Alban Zogaj u dorëhoq nga ky post.

Në një postim në Facebook, Shkëmb Manaj ka shprehur mirënjohje për besimin e dhënë.

“Është nder e përgjegjësi e madhe të vazhdoj t’i shërbej qytetarëve të kryeqytetit, ashtu siç ju kam shërbyer për më shumë se tri vjet radhazi nga funksioni i këshilltarit të kryetarit Përparim Rama. Do të angazhohem me përkushtim për zhvillimin dhe mirëqenien e Kryeqytetit, duke u angazhuar se bashku me kolegët brenda administratës tonë për realizimin e projekteve zhvillimore të Prishtinës, të cilat janë në funksion për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim”, ka shkruar Manaj.


Manaj në garën për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e shkurtit kishte marrë 17.305 vota, për të cilat ka thënë se janë rezultat i angazhimit të tij të permanent për të mirën e vendit, raporton KosovaPress.

“Falënderimi iu takon qytetarëve dhe strukturave tona që me zemër më kanë mbështetur në vazhdimësi, të cilëve edhe sot ju garantoj që pavarësisht sfidave, do të jem përherë në funksion të tyre, në funksion të LDK-së dhe përmes saj në funksion të shtetit të Kosovës. Nuk ka forcë që na ndal nga rruga e jonë e drejtë dhe ne jemi të palëkundur në përcaktimin tonë!”, ka përfunduar Manaj.

Kujtojmë, nënkryetari i deritanishëm Alban Zogaj ishte zgjedhur në këtë post më 2021. Ai dha dorëheqje pasi fitoi votat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Lexo edhe

Video