Kanë kaluar 1 mijë 96 ditë që kur Rusia nisi agresionin e saj të plotë ndaj Ukrainës, duke shkaktuar një luftë shkatërruese që vazhdon ende. Në përkujtim të këtij përvjetori, në Prishtinë, sot u mbajt një takim i organizuar nga Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Zyra e BE-së në Kosovë.
Në këtë ceremoni, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kujtoi se për tri vite me radhë, Ukraina dhe populli i saj kanë treguar një qëndresë të jashtëzakonshme përballë agresionit brutal rus.
“Sot, siç e dimë të gjithë, shënohen tre vjet nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia. E mbajmë mend shumë mirë mëngjesin e 24 shkurtit 2022. Vetëm disa ditë më parë, liderët botërorë ishin mbledhur në konferencën e sigurisë në Mynih dhe nga bisedat që po zhvilloheshin atje, më kujtohet se ne, ata që e dimë luftën, e dinim që rreziqet ishin shumë, shumë të larta. Megjithatë, shumë njerëz ende nuk besonin se lufta do të kthehej sërish në tokën evropiane, mirëpo megjithatë lufta u rikthye. Për tre vjet tani, ne kemi qenë dëshmitarë të vuajtjeve të mëdha. Tre vjet humbje, tre vjet dhimbje, por edhe tre vjet qëndrueshmëri të pashembullt dhe trimëri të jashtëzakonshme nga populli i Ukrainës, i cili ka qëndruar i palëkundur në mbrojtje të atdheut, dinjitetit dhe lirisë së tij”, tha e para e vendit duke thënë Osmani.
Ajo theksoi gjithashtu se Kosova ka qëndruar me Ukrainën që nga dita e parë, jo vetëm me fjalë, por me vepra.
Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, tha se lufta e Ukrainës nuk është vetëm një çështje kombëtare, por një sfidë për sigurinë evropiane.
“Teksa po shënojmë përvjetorin e tretë të agresionit rus në Ukrainë… Së pari, luftimet për lirinë e Ukrainës janë gjithashtu një luftë për sigurinë evropiane. Tre vjet më parë, më 24 shkurt 2022, Rusia nisi luftën e agresionit kundër fqinjit të saj, tetë vjet pas agresionit të saj të parë kundër Ukrainës, duke shkelur të gjitha rregullat e ligjit ndërkombëtar dhe duke shkelur hapur integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e një shteti të njohur ndërkombëtarisht. Kjo luftë, duke hyrë në vitin e saj të katërt, është çështje vdekjeje dhe jete, në radhë të parë për Ukrainën, për popullin ukrainas, ngase ata janë viktimat e para të kësaj lufte brutale”, tha ai.
Gjatë përkujtimit, u shfaq edhe një film dokumentar, i cili përshkruante rrjedhën e luftës në Ukrainë dhe pasojat e saj të rënda mbi popullsinë civile.