Në përvjetorin e masakrës së Krushës kërkohet zbardhja e fatit të 60 personave të zhdukur

Me rastin e 26-vjetorit të masakrës së Krushës së Vogël, presidentja Vjosa Osmani tha se Krusha e Vogël është një simbol i qëndresës dhe rinisjes pas dhimbjes, duke përmendur se populli shqiptar qëndroi i palëkundur edhe në vitet e tmerrit.

Pas homazheve, Osmani u shpreh se masakra e Krushës së Vogël ishte një nga mizoritë më të tmerrshme të regjimit serb dhe tha se asnjëherë nuk do të fshihet e vërteta për atë që ndodhi atje, përcjellë KosovaPress.

“Forcat serbe nuk u ndalen vetëm me vrasje, ata dogjën trupat për t’i mbuluar gjurmët e krimit, por asnjëherë nuk munden ta fshehin të vërtetën. Nga rrënojat e Krushës së Vogël, nga plagët e saj, nga toka e djegur kanë dalë njerëzit më të fortë, më qendrëstar që mund t’i njeh njerëzimi. Ajo që ndodhi këtu nuk do të harrohet kurrë, jo për hakmarrje, por për të mos u përsëritur asnjëherë. Sot, Krusha ecën përpara, sot Kosova ecën përpara, por asnjëherë duke mos u dorëzuar nga kërkesa dhe puna jonë për drejtësi, drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë. Krusha e Vogël është dëshmi e përjetshme e qëndresës sonë dhe drejtësia sado që të vonohet ajo do të vijë. E ne nuk do të ndalemi kurrë së punuari për atë ditë”, tha Osmani.

I pranishëm në këtë tubim përkujtimor ishte edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili nënvizoi se është çështje urgjente adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, pasi siç tha ai, përderisa këto krime nuk vjetrohen, dëshmitarët e këtyre mizorive vit pas viti po plaken e po pakësohen.

Ai kërkoi që gjykatat dhe prokuroria të angazhohen më fuqishëm për të sjellë drejtësi për viktimat e luftës dhe për të siguruar që krimet nuk mbeten të pandëshkuara.


“Jam shumë optimist se për siguri e për zhvillim, për demokraci, po ecim e do të ecim edhe më shpejtë përpara, por ajo që na ka ngel mbrapa është drejtësia. Drejtësia ka ngelë prapa pothuajse çdo aspekt, përfshirë këtu adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Kushtet e punës i kanë, të ardhurat i kanë të mira, por nuk ua jap dot guximin dhe vullnetin. Prokuroria dhe gjyqësia në këto kohë kur po bëhen 26 vjet nga çlirimi i Kosovës e dëshmitarët po plaken e po pakësohen, duhet të kenë imperativ moral e kombëtar, të trajtojnë me urgjencë të paparë këtë çështje, sepse nuk mbyllen plagët, e nuk kemi prehje përderisa kriminelet nuk gjykohen e nuk ndëshkohen, e kjo tashmë mund të bëhet edhe mungesë”, tha Kurti.

Kryetari i fshatit, Shkelzen Hajdari theksoi rëndësinë e nderimit të martirëve dhe kujtimin e tyre për një Kosovë të lirë dhe të pavarur, transmeton KosovaPress.

Ai bëri thirrje për zbardhjen e fatit të 60 personave të zhdukur dhe kërkoi nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare që të kujdesen për gjetjen e të zhdukurve.

“Krusha e Vogël u shndërrua në një vatër të dhimbjes dhe tragjedisë, ku shumë njerëz të pafajshëm, burra dhe fëmijë u vranë dhe masakruan nga forcat policore serbe. Nga kjo masakër mbeten të zhdukur edhe 60 persona, si pasojë e kësaj masakre mbeten jetim 145 fëmijë dhe 82 gra të reja. Nga këtu në emër të nënave të Krushës bëjmë apel institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare që t’u dihet fati edhe 60 bashkëvendëseve tanë sa më shpejtë. Dita e 26 marsit na kujton se liria është një e drejtë e pacenueshme dhe se asnjë akt i dhunës nuk mund të shuajë shpresën për dashurinë, për atdheun tonë”, tha Hajdari.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tha se mënyra se sa nderohen të gjithë ata që kanë dhënë kontribut të madh, më së miri e tregohet me mënyrën e përgjegjësisë ndaj të ardhmes.

Në datat 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit, forcat serbe masakruan 243 persona. Ndërkaq, 893 shtëpi private dhe shoqërore u shkatërruan nga flakët./ KosovaPress

/KosovaPress/

Lexo edhe

Video