Në mungesë së pajisjes me shkresa të lëndës, shtyhet seanca për vrasjen e Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot pritej të mbahej shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, të cilët akuzohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023. Ndërsa, me vendim të kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku, seanca u shty për 31 janar 2025, me fillim nga ora 11:00.

Deri te shtyrja e seancës së shqyrtimit fillestar kur të akuzuarit pritej të deklaroheshin rreth fajësisë, erdhi pasi që avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj dhe ai i Tom Dodajt, Agron Kuçi, nuk ishin pajisur me shkresa të lëndës.

Të akuzuarit në gjykatore u sollën nën masa të rrepta të sigurisë.

Përveç të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe familjarët e të ndjerës, Liridona Ademajt.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq tha se të gjitha palët janë pajisur me shkresat e lëndë, përveç avokatit, Agron Kuçi mbrojtës i Tom Dodajt.

Sipas saj, avokati Kuçi nuk ka pas qasje në email.

Ndërsa, avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj tha se sot nuk janë plotësuar kushtet për t’u mbajtur kjo seancës, pasi sot 10 minuta para se të nis seanca e sotme është pajisur me shkresat e lëndës.

Më pas prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq tha se avokati i Granit Plavës, Skënder Gojani i ka marrë shkresat e lëndës edhe për avokatin, Ndrec Dodaj.

Ajo tha se për këtë prokuroria ka dëshmi, dhe nuk e dinë marrëveshjen në mes të dy avokatëve.


Se shkresat e lëndës i ka marrë avokati i Plavës, Skënder Gojani e pranoi edhe vetë ai.

Edhe avokati i Tom Dodajt, Agron Kuçi tha se për shkak të telasheve me emailin e tij, sot është pajisur me aktakuzën.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku u shpreh se shtyrja e seancës së sotme të shqyrtimit fillestar për vrasjen e Liridona Ademajt nuk do të ndodh më.

Ajo tha se kjo sjellje e mbrojtëse të të akuzuarve, Kokalla dhe Dodajt tregon seriozitetin e tyre.

Të pajtimit që të vazhdohet me shqyrtimin fillestar ishin mbrojtja e Naim Murselit dhe Granit Plavës, ndonëse deklaruan se disa CD nuk janë hapur.

Për prishje të rendit dhe qetësisë, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku e dënoi me 500 euro gjobë avokati, Ndrec Dodaj.

Gjyqtarja Dërmaku kërkoi falje edhe për mediat të cilat nuk arritën të jenë të pranishme në sallë, ndonëse interesimi i tyre ishte i madh.

Sipas tij, për shkak të hapësirës së sallës në gjykatë nuk kanë arritur të gjitha mediat të jenë të pranishme.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt. Të akuzuarit ngarkohen për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Sipas aktakuzës Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar që vrasja të kryhej nga i akuzuari Granit Plava me marrëveshje që bashkëshorti i Liridona Ademaj, Naim Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

Video