Në mbledhjen komemorative të organizuar më rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u vlerësua lartë figura dhe kontributi i tij për lirinë e vendit. Aty u tha se Haxhi Thaçi mbolli farën e lirisë dhe la trashëgiminë historike të Kosovës.
Në këtë organizim ku morën pjesë një numër i madh i qytetarëve nga e gjitha Kosova, bashkëpunëtorë të ish-presidentit, Hashim Thaçi, si dhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë bashkë me ministra të kabinetit qeveritar, u theksua mungesa e Thaçit në varrimin e babit të tij.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura tha se Haxhi Thaçi është pjesë e brezit që mbolli farën e lirisë dhe e ujiti atë me përkushtim të jashtëzakonshëm e sakrifica të mëdha, raporton KosovaPress.
Nura e konsideroi si goditje të rëndë vendimin për moslejimin e ish-presidentit Thaçi për të qenë sot i pranishëm në vdekjen e babit të tij.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se vlerat, mësimet dhe dinjiteti i siç e quan ai bacit Haxhi, janë forcat e padukshme që udhëhoqën Hashim Thaçin të bëhej një shtyllë e historisë tonë kombëtare.
‘President ashtu si edhe populli i Kosovës, babi yt ishte krenar me ty gjithmonë”, iu drejtua Krasniqi ish-presidentit Thaçi, me rastin e pa mundësisë për pjesëmarrje në këtë mbledhje komemorative, raporton KosovaPress.
Njeri të urtë, prind shembullor, mik të rrallë, e atdhetar të palëkundur e quajti Haxhi Thaçin, kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza.
Ai tha se Haxhi Thaçi nuk ishte thjeshtë një baba, por një simbol i përkushtimit dhe një shtyllë e pathyeshme e familjes Thaçi.
Në mbledhjen komemorative, fjalim pati edhe kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila lartësoi edukatën prindërore të Haxhi Thaçit.
Ndërkaq, Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama tha se deshi që të jetë sot pranë nënës dhe bashkëshortes së ish-presidentit Thaçi, për të ndarë dhembjen, raporton KosovaPress.
Njoftimi për vdekjen e Haxhi Thaçit u dha të dielën, pak ditë pasi ish-presidenti Hashim Thaçi e vizitoi atë në Klinikën Interne të QKUK-së, në të cilën po trajtohej.
Varrimi i Thaçit do të bëhet sot në orën 15:00 në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt.
Ndërkaq, Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…