Sheshet në jug të Mitrovicës janë mbushur të hënën me qytetarë të cilët po shijojnë atmosferën festive për pavarësinë e Kosovës.
Kumrije Begu, qytetare e Mitrovicës, tha se sot ndihet mirë, por jo sa duhet, për shkak të gjendjes së përgjithshme të sigurisë në veri.
Sipas saj, shqiptarët e asaj pjese janë ende me vaj në buzë.
“Ndihem mirë, por jo edhe aq, duke pasur parasysh gjendjen e qytetit tonë Mitrovicës. Kam jetuar tridhjetë vjet në veri të qytetit dhe e di shumë mirë qysh frymon ky qytet. Kemi qenë më keq. tani jemi më mirë, por jo aq sa duhet… Ne jemi akoma me vaj në buzë”, ka thënë Begu.
Erblin Macula, një mitrovicas tjetër, u shpreh të ndihet mirë sot, sepse për të dita e sotme është e vecantë. Ai theksoi se institucionet kanë punuar për qytetin e Mitrovicës si asnjëherë më parë, sidomos në shtrirjen e sovranitetit në veri. Ndonëse tha se ka hapësirë për të punuar ende më shumë.
Ndryshe, Komuna e Mitrovicës së Jugut për nder të Ditës së Pavarësisë ka organizuar homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Shipol, pastaj homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, si dhe program artistik në sheshin ‘Adem Jashari’ të Mitrovicës, ku kanë performuar emra të njohur të estradës kosovare.