Në fushatën zgjedhore mungon zëri i grave

Në fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, e cila ka nis nga 11 janari, po mungon zëri i gruas, por gjithashtu subjektet politike nuk po shpalosin programe që ndërlidhen me përmirësimin e jetës së gruas në Kosovë.

Kështu po vlerëson shoqëria civile, e cila kritikon edhe për përfshirjen e ulët të grave në listat e kandidatëve për deputet.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit në listat zgjedhore të partive politike në Kosovë, pak mbi 30 për qind janë gra, për shkak të kuotës gjinore prej 30 për qind, siç e parasheh ligji për zgjedhje, ndonëse ligji për barazi gjinore parasheh pjesëmarrje 50-50.

Drejtoresha ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli thotë për KosovaPress, se kjo fushatë zgjedhore nuk ka zë të gruas.

Ajo thekson që karshi grave të angazhuar në jetën politike, ka një dhunë të shprehur në internet.

Ndërsa, për përfshirje minimale të grave në listat zgjedhore, avokuesja për barazi gjinore, Demolli i bënë fajtore vetë partitë politike.


Edhe hulumtuesja e KDI-së, Violeta Haxholli thekson që në tubime elektorale po mbizotërojnë folësit burra.

Ajo e vlerëson tejet të nevojshme përfshirjen më të madhe të grave në jetën publike.

Hulumtuesja e KDI-së, shprehet se partitë politike nuk po kanë vullnet për përfshirje të grave në gara zgjedhore, përtej asaj që parashihet me ligjin për zgjedhje.

Në bazë të këtij ligji kuota gjinore duhet të jetë 30%.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit garon me 41 gra, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës me nga 38 kandidate gra. Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në listën e kandidateve për deputet i ka gjithsej 36 gra, e Koalicioni për Fëmije, garon me 24 gra kandidate për deputete.

Për zgjedhjet parlamentare të parat të rregullta pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, fushata zgjedhore ka nisur më 11 janar. Ndërsa, më 9 shkurt qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur udhëheqjen e re të vendit.

Lexo edhe

Video