Ndizen qirinj për 59 viktimat e tragjedisë në Koçan

Qytetarë të shumtë kanë ndezur sonte qirinj në qendër të qytetit Shtip në Maqedoninë e Veriut, duke bërë kështu homazhe për 59 viktimat e zjarrit në një diskotekë në Koçan, si dhe kanë vendosur edhe disa fotografi.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori sot vendim për shpalljen e 7 ditë zie për të nderuar viktimat e tragjedisë.

Gjithashtu, Qeveria mori vendim që detyron Inspektoratin Shtetëror të Tregut të kryejë kontroll të jashtëzakonshëm në objektet e hotelerisë si klube nate, diskoteka dhe diskoteka të hapura, për të përcaktuar nëse ato janë në përputhje me kushtet, përcjell KosovaPress.


Kujtojmë, mbi 20 persona janë të dyshuar, ndërsa 15 prej tyre janë arrestuar në lidhje me zjarrin, ku humbën jetën 59 persona dhe 155 të tjerë u lënduan.

Në mesin e të arrestuarve ka organizatorë të ngjarjes në klubin e natës, pjesëtarë të obliguar për sigurimin e ahengut, por edhe përfaqësues institucionesh si ish- sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme, tha se një pjesë e të dyshuarve për shkaktim të kësaj ngjarje penale kanë ndërruar jetë, dhe se diskoteka e djegur nuk ka pasur licencë pune.

Lexo edhe

Video