Autoritetet e Kosovës kanë ndaluar importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga Hungaria si rrjedhojë e shpërthimit të sëmundjes ‘’Afta Epizootike’’.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë njofton se ka pranuar informata se në shtetin e Hungarisë ka shpërthyer sëmundja e kafshëve ‘’Afta Epizootike’’.
“Sipas njoftimit zyrtar të ardhur nga Autoritetet hungareze, lajmërimit nga sistemi ADIS – Animals Diseases Information Sistem të BE-së, në shtetin e Hungarisë respektivisht ne zonën kufitare me Sllovakinë, kemi shpërthimin e sëmundjes ‘’Afta Epizootike – FMD’’ . Andaj bazuar ne Kodin Terrestial të shëndetit të kafshëve, kapitulli 8.8 te ËOAH-se, Ligjin e Shëndetit të kafshëve BE dhe Ligjin e Veterinarisë 21/2004, vendoset masa e ndalesës së importit të kafshëve (gjedhe, dele, dhi dhe derra) dhe produkteve të tyre nga shteti i Hungarisë”, thuhet në njoftim.
Sipas AUV, “Afta Epizootike” është sëmundje virale, me mundësi përhapje të shpejtë. Prek kafshët dythundrake dhe shkakton dëme ekonomike të mëdha.
“Nga kjo sëmundje infektive preken kafshët shtëpiake (lopët, delet, dhitë, derrat) dhe ripërtypësit e egër (drerin, kaprollin) dhe derrat. Shenjat klinike të sëmundja: ethe dhe me formim të flluskave që lokalizohen në cipën mukoze së gojës, në gji, kurorën e thundrës dhe në hapësirën ndërmjet gishtore. Sëmundja e Aftës Epizootike nuk përbën rrezik për shëndetin human. Por ka karakter ekonomik në prodhim dhe ndalim të tregtisë”, thuhet në njoftim.
Në fund thuhet se në rast të konfirmimit të pranisë së sëmundjes, Kosova ka të përgatitura kapacitetet inspektuese për vënie nën kontroll të saj. Sipas AUV, vendi ynë mban statusin e lirë nga sëmundja e “Aftës Epizootike”.