Ndalimi i Thaçit për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij shkelje e të drejtave njerëzore
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shprehur indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit të tyre, ish-presidentit Hashim Thaçi që të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij.
Sipas një reagimi të OVL UÇK, ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë.
“Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish-luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së. I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve”, thuhet në reagim, shkruan KosovaPress.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thekson se nuk do ta tolerojë heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë.
Specialja nuk ka bërë publik në faqen zyrtare ndonjë vendim lidhur me këtë çështje. Ndërkaq më herët të hënën, zëdhënësi i , Michael Doylei tha KosovaPresit se “të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të KSK-së, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të DhSK-së”.
Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vdekur të dielën në orët e vona.