NATO konfirmon angazhimin për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, tha Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior të mërkurën përmes një deklarate publike ku numëroi mesazhet kryesore të sekretarit të Përgjithshëm, Mark Rutte, i cili përfundoi vizitat në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë.
“NATO ka mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor për 30 vjet, angazhimi ynë mbetet i fortë edhe sot, i udhëhequr nga KFOR-i, që është misioni ynë më i gjatë dhe aktualisht misioni ynë më i madh”, citohet sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përcjellë KosovaPress.
Ai tha se një rajon i sigurt i Ballkanit Perëndimor do të thotë më shumë siguri në të gjithë hapësirën euro-atlantike.
“NATO do të vazhdojë të luajë rolin e saj, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të BE-së në Kosovë”, tha Mark Rutte, siç shkruan aleanca në deklaratën publike.
Edhe në njoftim theksohet se NATO do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë – proces i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, raporton KosovaPress.
“Kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme, duke siguruar që të drejtat e të gjitha komuniteteve të respektohen dhe mbrohen; për të çuar përpara Dialogun, të dy palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në fitimet afatgjata”, tha Rutte.
Mark Rutte qëndroi në Kosovë më 11 mars ku zhvilloi takime ndaras me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
Vizita e shefit të NATO-s në Kosovë u zhvillua pas asaj në Bosnje e Hercegovinë ku Mark Rutte tha se aleanca mbetet “e angazhuar fuqishëm për stabilitetin e këtij rajoni dhe për sovranitetin, integritetin territorial dhe sigurinë e Bosnje-Hercegovinës”.
Sa i përket Bosnjes, Mark Rutte tha se “Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është gurë themeli i paqes në këtë vend dhe duhet të respektohet; ne mbështesim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë; çdo veprim që dëmton Dejtonin, rendin kushtetues ose institucionet kombëtare është i papranueshëm; retorika dhe veprimet provokuese janë të rrezikshme; ato paraqesin një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnje-Hercegovinës”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s gjithashtu theksoi nevojën që liderët politikë të Bosnje-Hercegovinës “të bëjnë pjesën e tyre” dhe “të marrin përgjegjësinë” për progresin dhe stabilitetin e vendit të tyre, transmeton KosovaPress.
Ai e bëri të qartë se “ky nuk është viti 1992”, dhe se NATO dhe partnerët e saj ndërkombëtarë janë të pranishëm dhe të angazhuar në Bosnje-Hercegovinë, dhe “nuk do të lejojnë që të krijohet një vakum sigurie”.
Lexo edhe: https://kosovapress.com/rutte-per-dialogun-palet-duhet-te-bejne-kompromise