Millie Bobby Brown ka reaguar ndaj një serie artikujsh që kritikuan pamjen e saj gjatë turit të shtypit për filmin e Netflix, “The Electric State.” Ajo e akuzoi median për “ngacmim” dhe “shkatërrimin e vajzave të reja”, duke iu përgjigjur gazetarit për çdo artikull që kritikonte pamjen e saj, duke i përmendur ata me emër. Gjatë javës së kaluar, Brown u bë objekt i disa artikujsh pasi prezantoi një pamje të re me flokë të biondë dhe stilin e frymëzuar nga vitet e 90-ta. Disa e lavdëruan këtë pamje, duke menduar se mund të ishte një aluzion për një rol të mundshëm në një filmi biografik të Britney Spears, ndërsa të tjerë e kritikuan për “plakjen para kohe”, shkruan CNN.
Brown, e cila ka filluar karrierën e saj në industrinë e argëtimit që në moshën 10 vjeçare, e quajti këtë vëmendje mbi pamjen e saj jo vetëm të padrejtë, por edhe një pasqyrë të standardeve të paarsyeshme ndaj grave të reja. Ajo tha se është shqetësuese që gazetarët, përfshirë disa gra, kalojnë kohën duke analizuar fytyrën, trupin dhe zgjedhjet e saj. Ajo theksoi se publiku duhet të pranojë rritjen e saj dhe të kuptojë se njerëzit nuk duhet të mbeten të fiksuar në pamjen e tyre të kaluar, transmeton KosovaPress.
Në fund, ajo mbylli postimin me një mesazh të fuqishëm: “Refuzoj të kërkoj ndjesë që jam rritur”. Videoja e saj në Instagram ka marrë një mbështetje të madhe nga yje të njohur dhe ka arritur 1.6 milion pëlqime brenda 12 orëve. Ajo kërkoi që shoqëria të bëhet më mirë, jo vetëm për të, por edhe për çdo vajzë tjetër që meriton të rritet pa pasur frikë nga kritikat e vazhdueshme.